Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” ka mbajtur të martën ceremoninë e diplomimit për studentët e diplomuar në vitin akademik 2021/2022, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht, 65 studentët e diplomuar të veshur me uniformën solemne, kanë parakaluar në sallë në prani të mysafirëve, për të vazhduar në tribunën kryesore.
Më pas nën përcjelljen e Korit, është bërë intonimi i himnit të Kosovës, kombëtar dhe ai i Universitetit.
Rreth punës, sukseseve, të arriturave dhe sfidat që e kanë përcjellë këtë institucion, foli rektori Arman Krasniqi.
Ai ka falënderuar studentët, stafin akademik e administrative dhe të gjithë të pranishmit për punën dhe angazhimin e treguar në fusha të ndryshme në të mirën e Universitetit në përgjithësi.
Krasniqi këtë gjeneratë e cilësoi si brez i sakrificës për shkak të pandemisë.
“Nga sot ju jeni bartës të një titulli të lakmueshëm akademik. Brezi juaj konsiderohet si brez i sakrificës për shkak të pandemisë, e cila për një kohë të gjatë ju largojë nga ambientet universitare. Këtë rrugëtim disa vjeçar kemi kaluar shumë sfida e vështirësi por që me mund ia arritëm të dalim sa më mirë”.
“Ne jemi në fund të përgatitjes së planit të ri strategjik 2023-2026, duke vendosur objektiva të reja strategjike, të cilat për herë të parë janë harmonizuar maksimalisht me objektivat nacionale të arsimit në Kosovë”, tha Krasniqi.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se kjo ditë do të mbete gjatë në memorien e studentëve.
“Vitet që i kaluam gjatë pandemisë kanë qenë të vështira për të gjithë, por veçanërisht për juve studentë që i përfunduat semestrat në shtëpitë tuaja para pajisjeve elektronike e jo duke qenë të pranishëm fizikisht në sallat e Universitetit me kolegë e profesorët tuaj”.
“Por gjithsesi jemi sot këtu për t’iu gëzuar sukseseve që i keni arritur me finalizimi e suksesshëm të studimeve bachelor apo master. Sot ju e merrni diplomën, një dokument i cili e dëshmon që e keni finalizuar me sukses udhëtimin tuaj akademik”, tha Nagavci.
Me një fjalë përshëndetëse folën përfaqësuesit e studentëve të nivelit bachelor dhe master.