Për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili gjendet në trajtim mjekësor, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në rastin e njohur si “rasti i 53 milionë eurove”.
Në këtë rast, ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatëses Namani, i njëjti ka njoftuar paraprakisht udhëheqësin e departamentit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezentoj.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty, dhe po ashtu seanca e planifikuar për 16 maj është anuluar.