Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka mbajtur një fjalim para eurodeputetëve në Komitetin për Politika të Jashtme të Parlamentit Europian në Bruksel. Gjatë fjalimit, Bislimi përmendi edhe takimin e 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq Bislimi për procesin e dialogut.
“Kemi treguar zotim, gatishmëri dhe konstruktivitet gjithashtu në procesin e dialogut ku sapo jemi pajtuar me propozimin e BE-së dhe negociatat për zbatimin e tij do të pasojnë së shpejti. Ne besojmë që normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon njohje reciproke si pikë qendrore e marrëveshjes dhe respektim të së drejtave të minoriteteve në të dyja vendet”, tha Bislimi.
Ai tha se Kosova është e gatshme që të bëjë hapa shtesë për të intensifikuar përpjekjet e saj për t’u afruar me Brukselin, derisa shtoi se Kosova është një shembull në Ballkanin Perëndimor. Këtu ai përmendi edhe ratifikimin në Kuvend të marrëveshjeve që kanë dalë nga Procesi i Berlinit.
“Ne e kemi dëshmuar që vendi ynë qëndron për bashkëpunim të suksesshëm rajonal dhe për përparim të zbatimit për tregun e përbashkët dhe mezi presim që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të aprovojnë ato”.
Në fund, Bislimi tha se siguria dhe paqja në rajon dhe në gjithë Europën është një domosdoshmëri. Këtë ai e përcolli me një mesazh të Kosovës për eurodeputetët.
Jemi në gjendje që të bëjmë progres përkundër të gjitha sfidave dhe pengesave. Zotimet tona mbesin të njëjta. Mesazhi i Kosovës është shumë i zëshëm dhe i qartë: Europa është e tashmja, Europa është e ardhmja. Zëri ynë duhet të dëgjohet”, tha Bislimi.