Përpjekjet për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë nuk i ndali as të premten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Gjatë fjalës së saj në një seancë, ku bashkë me disa deputetë po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në shkurtin e vitit 2016 në Kuvend, ajo i bëri thirrje prokurorit të rastit, Ilaz Beqiri, që të dorëzohet e të tërhiqet nga aktakuza. Kjo deklaratë e Haxhiut ngjalli reagime të shumta. Por a e ka ndërmend prokurori Ilaz Beqiri që ta dëgjojë fjalën e ministres Haxhiu.
Nga aktakuza e as nga hetimet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në shkurtin e vitit 2016 në Kuvend, nuk e ka ndërmend që të tërhiqet prokurori Ilaz Beqiri.
Kontaktuar nga Gazeta Nacionale, prokurori Beqiri ka folur për deklaratën që u cilësua skandaloze e ministres Haxhiu.
“As që e kam dëgjuar që më ka thënë “dorëzohu”. Gjithçka ka qenë normale. Kemi qenë në shqyrtim gjyqësor. Shumica prej tyre thonë që prokurori duhet të tërhiqet, se s’ka elemente të veprës penale. Unë s’kam vlerësuar që ka ndonjë tendencë aty as të ketë ndikim, as frikësim, as asgjë”, tha prokurori Beqiri.
Kur u pyet nëse e ka ndërmend që t’i bindet fjalët së ministres Haxhiu, prokurori e dha këtë përgjigje:
“Po çfarë t’dorëzuni? Unë, me qenë që dorëzohem, isha dorëzu moti, moti… Nuk ia kisha nisë kësaj pune hiç. Atë e di gjithkush: që politika duhet me qëndru larg drejtësisë”- tha Ilaz Beqiri.
Ndërkohë në seancën e djeshme , kryetarja e trupit gjykues, Fatime Demaku, njoftoi se do të caktohet ekspertizë balistike jashtë vendit për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë përdorur të akuzuarit në rastin ku për posedim të gazit lotsjellës në Kuvend, po akuzohen ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet, Donika Kadaj Bujupi e Besa Baftiu.
Për këtë punë, prokurori tha se nuk është i nevojshëm ekzaminimi.
“Nuk është e nevojshme as të bëhet ekzaminim, sepse me pas qenë i nevojshëm, unë e kisha ba para 10 viteve atë ekzaminim. Ai është një lloj gazi që mund të shkaktojë lëndim”, tha ai.
E pas shumë reagimeve për deklaratën e ministers Haxhiu, ka reaguar kjo e fundit.
“Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj,”- thuhet në reagimin e saj.
“Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi”.