Besim Mala ishte njeri nga komandantet e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ardhur nga mërgimi Holanda Në pranverë të vitit 1998, Besim Mala lë gruan dhe bijën katër-vjeçare, Lenditën, në Holandë dhe niset në drejtim të Shqipërisë e më vonë kalon kufirin që ndante trojet e Shqipërisë etnike.Gjatë luftës Besim Mala e kishte kryer detyrën e oficerit të lartë në Njësinë Speciale të Zonës Operative të Drenicës,
Më 16 prill 2000 Në Prishtinë “Tre Sheshirat” Besim Mala pas një perplasje me një qytetar kishte mbetur i vrarë.
Ish kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, ka reaguar pas rivarrimit të eshtrave të Besim Males -Komandant Murrizit në kompleksin memorial të dëshmorëve në Marinë.
Postimi i tij i plotë :
Kjo nuk mund të tolerohet, turp që nuk na e falin asnjëherë dëshmorët
Pas gjithë atyre kërkesave që kam pranuar dhe ngritjes së shqetësimit të fëmijëve të dëshmorëve të komunës sonë, si djalë dëshmori dhe si qytetar i këtij vendi nuk mundem asesi të kapërdijë këtë turp e të mos reagojë në mbrojtje të vlerave dhe historisë sonë të lavdishme.
Në ditën e përvjetorit të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, derisa të gjithë festonim lirinë e pavarësinë që na e sollën dëshmorët e martirët tonë, kryetari aktual i Skenderajt, Fadil Nura e Nënkryetari Sami Lushtaku, kishin vendosur që të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë duke përdhosur dëshmorët, luftën dhe sakrificën e tyre sublime.
Pa dijeninë e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, dhe as Institutit të Mjekësisë Ligjore, ata rivarrosen eshtrat e njërit prej veteranëve të UÇK-së, të vrarë pas luftës, pranë dëshmorëve në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.
Në shenjë respekti për kontributin e tij të dhënë në luftë dhe ndaj familjes së tij, nuk mund të flas se për cilin veteran të UÇK-së bëhet fjalë dhe njëkohësisht kërkoj edhe nga mediet dhe qytetarët që të ruajnë konfidencialitetin e personit në fjalë, sepse ai nuk mbanë asnjë përgjegjësi për turpin që ish bashkëluftëtarët e tij po bëjnë sot me eshtrat e tij.
Për informimin e drejtë të opinionit publik, personi të cilin pushteti aktual i Skenderajt e rivarrosi në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, ka qenë ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së fundit në Kosovë, i njëjti fatkeqësisht ishte vrarë pas luftës dhe vrasja e tij nuk lidhet në asnjë formë me luftën tonë të shenjtë.
Në fillim të mandatit tim si kryetar i Komunës së Skenderajt, në vitin 2018, puna e parë që kam bërë ka qenë rivarrimi i dëshmorëve tonë, nga Polaci ku kishin mbetur varret e tyre në gjendje të mjerueshme, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, i cili me vite pas ndërtimit ishte neglizhuar nga ish qeverisjet e këtyre njerëzve të cilët nuk e kishin marrë iniciativën dhe përgjegjësinë që t’i rivarrosin dëshmorët tonë.
Pasi rivarrosem shumicën e dëshmorëve nga Polaci dhe shumë fshatra të komunës sonë dhe komunave përreth, si kryetar i komunës jam ballafaquar me kërkesa të tilla për rivarrimin e veteranëve të UÇK-së të vdekur pas luftës, duke përfshirë edhe personin në fjalë, për të cilin më kishin kërkuar shumë individ, kryetar komunash, deputetë e deri tek ish Kryeministri Haradinaj, që të lejojë rivarrimin në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.
Por jo, me gjithë respektin për secilin ish ushtar të UÇK-së, duke bartë barrën e rëndë që kemi si pasardhës të dëshmorëve e heronjve tonë, nuk mund të pranoja një gjë të tillë, sepse të krahasosh dëshmorin me jo dëshmorin është turp, është përdhosje e gjakut të atyre që na e sollën Lirinë e Pavarësinë tonë.
Bazuar në kontributin e dhënë në luftën tonë heroike, në shenjë respekti për ta, për familjen dhe me qëllim të dokumentimit të historisë sonë, gjatë kohës sa kam udhëhequr me komunën e Skenderajt, bashkë me OVL-UÇK, dega në Skenderaj kemi hartuar projektin dhe kishim planifikuar ndërtimin e Kompleksit të Veteranëve të UÇK-së, afër Kompleksit të Dëshmorëve në Marinë, ku do të varroseshin veteranët e UÇK-së, të vdekur pas luftës sonë.
Udhëheqja aktuale e Skenderajt, z. Nura e z. Lushtaku, në vend që të punojnë në realizimin e këtij projekti, vendosën që të turpërojnë vetën, dëshmorët, UÇK-në, shoqërinë, shtetin dhe kombin tonë, duke rivarrosur ish veteranin e UÇK-së, të vrarë pas luftës, në vendin ku pushojnë eshtrat e dëshmorëve tonë, ani pse e dijmë që kemi edhe shumë individ që pas luftës janë shpallur, veteran, invalid dhe dëshmor në mënyrë të jashtëligjshme, raste këto për të cilat kam kërkuar dhe kërkoj verifikim.
Gjithashtu pjesë e këtij turpi u bënë edhe individ brenda shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, dega në Skenderaj, të cilët ishin prezentë në ceremoninë e rivarrimit dhe si përfaqësues të familjeve të dëshmorëve lejuan një gjë të tillë.
Në emrin tim dhe të shumë fëmijëve të dëshmorëve kërkoj nga qeverisja e Skenderajt, nga z. Nura e z. Lushtaku që pas këtij turpi që bënë me vetëdije, të përmirësojnë gabimin e pafalshëm të tyre dhe të kërkojnë falje publike për turpin që bënë.
Njëkohësisht kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë këtë rast, se si është e mundur të ndodhë një rast i tillë në një kompleks të dëshmorëve i cili menaxhohet nga institucionet tona dhe fajtorët të dalin para drejtësisë.
Turp!