Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës ka zbarkuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), tregojnë burimet e Nacionales dhe po kryen bastisje.
Sipas këtyre burimeve, hetimet po bëhen për shkak të keqpërdorimit të një tenderi për remontin e Bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Gati nëntë muaj më parë, blloku A5 në Termocentralin Kosova A ishte ndërprerë për shkak të një rreziku nga shpërthimi.
Mirëpo, nga KEK-u, deklaruan se kjo ndalje ishte bëre për arsye të dërgimit në remont të këtij blloku.
‘’Se Blloku A5 është ndalur sipas planit të revizionit të përditësuar për gjashtë-mujorin e dytë në procedurë të rregullt duke respektuar udhëzimet teknologjike. Lidhur me këtë, blloku A5 ka punuar mbi 76 ditë pa ndërprerje dhe është paraqitur nevoja për ndalje dhe intervenim të rregullt”, thuhej në atë komunikatë.
Blloku A5 për çdo ditë jashtë funksionit është duke i kushtuar KEK-ut hiç më pak se 1 milionë euro në ditë.
Pra, KEK-u që nga korriku i vitit të kaluar ka paguar më shumë se 300 milionë euro.
Blloku A5, ka hyrë në funksion në vitin 1975 me një fuqi punuese prej 2010MW në vit.
Drejtori menaxhues i KEk-ut, Nagip Krasniqi, në një intervistë për Kallxo, kishte deklaruar se remonti i bllokut A5, mund të zgjas tre muaj.
“Te A5 ka pasur një problem gjatë muajit gusht edhe është ndalë. Edhe disa ditë presim të kryhet tenderi për remontin kapital sepse A5 është në plan për remont kapital këtë vit dhe remonti i tij mund të zgjas deri në tre muaj.”- kishte deklaruar Krasniqi.
Krasniqi, në këtë intervistë kishte treguar se pse ka vendosur që të fus në një llot, rregullimin e kaldajës edhe turbinës.
“Unë personalisht kam kërkuar që me qenë një llot sepse na ka ndodhë në vitin e kaluar ta zëmë që kaldaja është përfundu për tre muaj pastaj turbina është vonu për më shumë se tre muaj. Sepse njëra kompani e ka kryer punën, tjetra s’e ka kry. Çka kam dashtë unë me bo është që me pasë këto dy kompani që i bëjnë dy llote, që ato të hyjnë vetë në konsorcium edhe ne ta kemi një palë me të cilën bisedojmë edhe ka përgjegjësinë komplete jo të pjesshme. Kjo ka qenë arsyeja. Tani a ka qenë mirë apo keq, nuk e di. Mund të ndodhë që nuk ka qenë vendim i mirë.”- ka deklaruar Krasniqi.
Deri në këtë moment, nuk ka asnjë reagim as nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).