Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, konkretisht faljen e 100 eurove.
Basha, me anë të një postimi në Facebook, e ka vlerësuar si “huqje” vendimin e Kushtetueses.
“Huçje e Gjykatës Kushtetuese dhe hipokrizia e komunave! Ka pas shumë propagandë se Qeveria po i detyron komunat me fal tatim në pronë, por ja që ligji nuk e thotë këtë! Ligji shkurt ofron që: Çdo tatimpagues kualifikohet për falje! Shuma e faljes lejohet deri në 100€ maksimum, dhe Vendimi për këtë falje bëhet nga kuvendet komunale!”, ka shkruar Basha.
Sot, Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Komunës së Prizrenit për masën e përkohhme lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023.
Masa e përkohshme është miratuar deri më 30 nëntor.
Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur.”
Në njoftim Kushtetuesja tregon se neni 5 i Ligjit për Tatimin në Pronë parasheh faljen e 100 eurove.
“Neni i kontestuar përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) falja tatimore zbatohet vetëm për vitin tatimor 2023; dhe (vi) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të asaj komune dhe Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite.”
“Gjykata thekson që miratimi i masës së përkohshme deri më 30 nëntor 2023, nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe/ose meritat e kërkesës, vlerëson që kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme ndaj efekteve të zbatimit të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, duhet të miratohet, sepse i shërben mundësisë së “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.
/GazetaPapirus/