Sot gjatë ditës, deputetët e rinj të Lëvizjes Vetëvendosje që fituan mandatin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e kanë bërë regjistrimin në objektin e Kuvendit për detyrën e re.
Pothuajse secili nga ta që u deklarua u shprehën të bindur se VV-ja është ajo që do ta formojë qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin. Por nuk treguan si dhe as në bashkëpunim me kë.
Edhe pse si e vetme nuk i kanë numrat, e as me komunitetet joshumicë, duke përjashtuar këtu Listën Serbe, nuk arrijnë t’i kenë 61 votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, deputetët e rinj të VV-së u shprehën optimistë se diçka e tillë do të ndodhë.
I pari që u deklarua për këtë çështje nga ky grup i deputetëve, është Agim Bahtiri, i cili deklaroi se VV-ja i ka numrat për qeverinë e re.
“Numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë dhe mendoj se do të bëhet me deputetë të Republikës së Kosovës…me deputet të Republikës së Kosovës. Ai është mendim i tyre, ne e dimë që i kemi numrat dhe do t’i bëjmë me deputetë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Tjetër deputet i VV-së që tha me bindje se VV-ja e formon qeverinë, është Halil Thaçi. Madje ky, tha se qeveria e ardhshme do të votohet nga 63 deputetë.
‘‘Unë po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK, e kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe krye parlamentar Glauk Konjufca. Me vota, 63 vota, qeto 63 vota bëhen prej deputetëve. Prej atyre që janë përgjegjës për shtetin e Republikës së Kosovës’’, ka thënë ai.
Kaq e bindur është shprehur edhe deputetja Adriana Matoshi, e cila ka thënë se ‘‘dihet se kush’’, kur është pyetur për krijimin e qeverisë së dhe se: “Ka mu bë mirë për krejt, cep me cep. Mas miri ka mu bo”, ka thënë ajo.
Me të njëjtën qasje e me bindje të plotë ka folur edhe Donika Gërvalla e cila ka thënë se ‘‘dihet se kush e formon qeverinë’’.
‘‘Dihet kush është ka e formon qeverinë me 15 [prill] apo më vonë, kështu që s’kemi çka diskutojmë. Me votat e nevojshme’’, ka thënë ajo.
Për qeverinë e re është deklaruar edhe deputeti Mefail Bajqinovci, i cili tha: ‘‘Qeveria Kurti III do të formohet. Pa votat e Listës Serbe’’.
Po kaq e sigurt në krijimin e qeverisë së re nga VV-ja, është shprehur edhe deputetja Arbëresha Kryeziu-Hyseni.
“Të martën më 15 prill besoj që do të fillojë me konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe me procedurat e tjera. Unë e di që kryeministër do të jetë Albin Kurti prapë dhe Qeveria Kurti 3 do të formohet. Kjo bëhet sigurisht nëse i kemi numrat. E unë besoj që i kemi”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ka pasur edhe të atillë nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes që janë shprehur me të rezervuar në lidhje me krijimin e qeverisë së re.
Deputetja Edona Llalloshi, thënë se duhet të presim në ditët në vazhdim sa i përket çështjes së formimit të qeverisë së re.
”Unë jam shumë e lumtur, sot është një ditë e jashtëzakonshme edhe për mua edhe për familjen time. Do të presim në ditë në vazhdim, përgjigje për momentin tjetër nuk kam. Do të mundohem maksimumin me jep për vendin tim, për komunitetin artistik, artin, kulturën në përgjithësi”, ka thënë ajo.
Edhe deputetja Shqipe Mehmeti Selimi në deklarimin e saj ka thënë se për numrin e votave që ka siguruar VV-ja, duhet të shohim të martën, ditë në të cilën mbahet seanca konstituive e Kuvendit.
“Procesi (i regjistrimit në Kuvend) shkoi shumë mirë, e për votat e shihni të martën”, tha ajo.
Për dallim nga entuziazmi i shumicës së deputetëve të rinj të LVV-së, numri dy i kësaj partie, Glauk Konjufca, dy ditë më parë u shpreh mjaftë skeptik se qeveria e re mund të formohet nga vetëm VV-ja pa arritjen e ndonjë koalicioni me partitë e tjera.
Konjufca, në konferencën për media të martën që shkoi pas takimit të tij me përfaqësuesit e partive për seancën konstituive të kuvendit që është paraparë më 15 prill, ka thënë se VV-ja nuk e ka arritur qëllimin prej 500 mijë votave që e kanë pasur, dhe kësisoj, tani duhet të modifikohet rrugës.
Ai ka deklaruar se qëllimi i Vetëvendosjes ka qenë që ta bëjnë qeverinë e vetme, porse, për këtë gjë Konjufca ka deklaruar se atij nuk i duket e mundshme.
“E kemi pasur qëllimin t’i arrijmë 500 mijë vota, nuk i kemi arritur ato. Tani është skenari B dhe ju pyesni se përse ne në kuadër të skenarit B, i kemi drejtuar letër një partie opozitare. Është rasti më normal i mundshëm në demokraci. Nuk ka ndonjë kontradiktë këtu, sepse, ne nga fillimi kemi thënë, qëllimi është ta bëjmë vetëm Qeverinë, a është e mundshme kjo, mua nuk po më duket e mundshme. Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm. Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, me 15 prill, deputetët e zgjedhur paraqiten në Kuvend, ku seancën konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë dhe deputetët e zgjedhur bëjnë betimin.
Pastaj, partia e parë propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe gjatë seancës zgjidhen edhe nënkryetarët.
Seanca përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, sipas Rregullores së Kuvendit.
Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë për krijimin e Qeverisë së re partinë e parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-në.
Në Kushtetutë thuhet se mandatari më pas ka 15 ditë kohë që të paraqesë përbërjen e re të ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë 61 vota që ajo të votohet.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate tetë vende.