Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro. Raste të tilla po raportohen me të madhe nga bankat e bizneset në Kosovë
Një rast më ndryshe është zbuluar sot në Rahovec, pasi zyrtarët e Postës së Kosovës kanë hasur në një shumë të monedhave metalike që dyshohet se janë të falsifikuara.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, shtatë mijë eurot që dyshohet se ishin futur në shërbim në Postën e Rahovecit janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërkohë që dy persona janë arrestuar.
Policia ka arrestuar dy të dyshuar, B.D., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar, menaxher në postën në Rahovec) dhe H.D., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar). Në postë janë gjetur dhe konfiskuar, nën dyshimin se janë të falsifikuara, shuma e monedhave prej: 1362 X 2 =2 724 €, 970 X 1= 970 €, 1480 X 0.50=740€, gjithsej 4434 €. Po ashtu, dyshohet se 2566 € janë shpërndarë tek qytetarë që kanë kryer shërbime në këtë postë e të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve”, thuhet në njoftim.
Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë bastisur lokacionet e personave të dyshuar.
“Dy të dyshuarit, janë intervistuar në prezencën e avokateve mbrojtës dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë mbi dyshimin e arsyeshëm se i dyshuarin B.D., ka kryer veprën penale ‘’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe i dyshuari H.D., për ‘’falsifikim të parasë””, thuhet tutje në njoftim.