Qeveria e Republikës së Kosovës më 12 maj kishte miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ndërkaq aplikimin për tu bërë pjesë e këtij institucioni ndërkombëtar e kishte dorëzuar po atë ditë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e KiE-së e patën konfirmuar edhe nga ky institucion.
Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten përmes një përgjigje me shkrim kishte thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti i dërgohet Komitetit të Ministrave.
Qeveria e Kosovës megjithëse nuk është deklaruar shumë rreth asaj se ku ndodhet procesi dhe kur pritet të hyjë në diskutimet e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, shumë vende mike të Kosovës kanë shprehur mbështetjen.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pas dorëzimit të kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Austria, Finlanda, Zvicra, Letonia, etj kanë shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ndërsa nga vendet e rajonit edhe Shqipëria, Mali i Zi janë deklaruar pro.
Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil ditë më parë ka thënë se SHBA-të mbesin të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën në Këshillin e Evropës.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Brassil.
Edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një konferencë për media të mbajtur gjatë vizitës së tij në Prishtinë kishte thënë se Gjermania do ta mbështes me të gjitha kapacitetet e saj aplikimin për anëtarësim të Kosovës në KiE.
“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, ka thënë Sarrazin, para mediave.
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur mbështetjen për procesin dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Mezi presim ta shohim Kosovën si pjesë të Këshillit të Evropës, familje që punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës. Gjitha të mirat në procesin e aplikimit për anëtarësim”, kishte shkruar Rohde.
Edhe Grupi parlamentar më i madh opozitar në Gjermani, CDU/CSU, ka kërkuar nga qeveria gjermane mbështetje aktive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kosova mbështetje për anëtarësim në këtë mekanizëm ka marrë edhe nga Britania e Madhe.
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, përmes një postimi në Facebook, aplikimin e Kosovës e ka cilësuar si shenjë të gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar.
“Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj. Gjithashtu është një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin ndërkombëtar Kosovës i uroj suksese!”, ka shkruar ambasadori britanik.
Ndryshe nga Gjermania e Britania, Franca ka hezituar t’i japë mbështetje Kosovës në këtë rrugëtim.
Ambasada e Francës në Kosovë ka deklaruar se i takon Kosovës si shtet sovran që të aplikojë për anëtarësim në KiE, megjithatë ka kthyer vëmendjen që prioritet aktual është rinisja e dialogut me Serbinë.
“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në deklaratën e ambasadës franceze.
E mbështetje për anëtarësim në KiE, Kosova ka marrë edhe nga Austria, Finlanda dhe Letonia.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schalenberg, ka mirëpritur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kreu i diplomacisë austriake kishte theksuar se situata aktuale politike duhet të përdoret për të siguruar një model të qëndrueshëm të jetës në Evropë.
“Prandaj, ministri i Jashtëm, Schallenberg, u shpreh qartë në favor të pranimit të anëtarëve të rinj dhe përshëndeti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të dorëzuar nga Republika e Kosovës më 12 maj 2022”, thuhej në njoftimin e zyrës austriake.
E sekretarja e Shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Johanna Sumuvuori, pas takimit që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka thënë se Finlanda e përkrahë plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.
“Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrahë plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, kishte shkruar ajo në rrjetin social Twitter.
Ndërkaq, presidenti i Letonisë, Egils Levits në një konferencë për media gjatë vizitës në Prishtinës kishte shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për liberalizimin e vizave.
Ai para mediave në Kosovë tha se Letonia dhe Kosova nuk kanë ndonjë armik, por se vetëm siç u shpreh “jemi duke mbrojtur demokracinë tonë, pavarësinë tonë”.
“…Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj ne mund të shkëmbejmë përvojat tona për të gjetur rrugën drejt anëtarësimit. Unë do ta mirëpres Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.
Edhe shteti i Zvicrës ka shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Mbështetja e Zvicrës u bë e ditur pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me zëvendëspresidentin zviceran Alain Berset.
Zëvendëspresidenti Berset konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Zvicrës për aplikimin zyrtar të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, në një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, që qytetarëve të Kosovës do t’u mundësojë të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkaq, nga shtetet e rajonit edhe Shqipëria dhe Mali kanë shprehur mbështetje.
Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq gjatë një vizite në Kosovë pas takimit që ka pasur me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është bërë e ditur se ka ofruar mbështetjen e shtetit të tij për rrugëtimin në KiE.
“Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviq e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës ka dhënë edhe Shqipëria.
Dastid Koreshi, ambasador dhe përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës (KiE), në një intervistë me shkrim për Telegrafin është zotuar se do të bëjë gjithçka që do të jetë e nevojshme për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.
I pyetur nëse Shqipëria është e gatshme ta propozojë anëtarësimin e Kosovës në KiE, Koreshi tha se misioni i Shqipërisë në këtë mekanizëm është plotësisht i përkushtuar në mbështetje të këtij procesi, por sipas tij, mbështetja duhet të vijë edhe nga vendet tjera anëtare në këtë organizatë.
Ndryshe, procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës të propozojë anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.
Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.
Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.