Pak më parë u raportua për një aksident trafiku që ndodhur sot në rrugën Gjakovë – Prishtinë, saktësisht në fshatin Qerim, ku janë përfshirë një automjet zyrtar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe një veturë tjetër. Nga ky aksident dyshohet se kanë mbetur të lënduar tre prokurorë, dhe shoferi i veturës tjetër.
Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala në një prononcim për Sinjalin tha se tre prokurorët e lënduar janë duke u trajtuar në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës dhe për momentin nuk ka ndonjë raport nga mjekët, pasi janë duke u bërë intervenimet e nevojshme.
Sipas Buzhalës, dy nga prokurorët kanë pësuar lëndime më të rënda, ndërsa tjetri është me lëndime të lehta.
Përveç prokurorëve, nga ky aksident ka mbetur i lënduar edhe shoferi i veturës tjetër, e cila u përplas me automjetin zyrtar.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nysret Xhurkaj, i cili ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00. /Gazeta Papirus/