Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri bashkë me Diellza Kukajn dhe Nazim Gagica, anëtarë të kryesisë të kësaj partie, kanë thënë se qeveria e Kosovës në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin e Pagave.
Përmes një konference për media, zyrtarët e lartë të AAK-së kanë thënë se nuk ekziston asnjë vend në BE e as Ballkanin Perëndimor i cili me ligj mundohet ta kapë administratën shtetërore.
“Nuk ka vend as në Evropë e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kapë administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, 1600 pozita të shërbimit publik në karrierë i kthen në pozita me mandat politik katërvjeçar. Me këtë e bënë një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë”, ka thënë Tahiri.
“Qeveria e Kosovës e në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që kthen e Kosovën në kohën e UNMIK-ut”, ka shtuar Tahiri.
Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Diellza Kukaj, ka thënë politizimi i administratës ka efekt direkt në përkeqësimin e performancës së institucioneve dhe ka kosto të lartë për mbajtjen e saj në aspektin e arritjes së objektivave strategjike dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Nazim Gagica, nga departmenti për Administratën shtetërore në AAK, ka theksuar se me Ligjin për Zyrtarët Publikë, do të krijohet një administratë joefikase dhe do i jep mundësi Qeverisë për ta kapur këtë sektor.