Disa rekomandime të Ministrisë së Ekonomisë për kursim të energjisë elektrike janë shndërruar në shaka nga qytetarët. Por, përtej talljeve në Facebook e rrjete tjera sociale, ekspertët thonë se të gjitha pajisjet shtëpiake të cilat qëndrojnë në rrymë dhe nuk përdoren, shpenzojnë energji elektrike, shkruan Gazeta Express
“Konsola e video-lojërave, shpenzojnë relativisht shumë, më shumë sesa që kishim menduar”, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para pak ditësh.
Kjo deklaratë e Rizvanollit u bë virale nga përdoruesit e rrjeteve sociale në Kosovë.
Megjithatë, inxhinierit Ermal Sadiku po i duket e arsyeshme kërkesa e ministres Rizvanolli.
Sadiku ka deklaruar për Express se për shkak të rritjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike në botë, edhe këto lojëra të cilat nuk shpenzojnë shumë energji elektrike, do të mund të kushtojnë shumë nëse Kosovës do t’i duhet të blejë energji në tregun botëror.
“Përderisa konsola shpenzon rreth 200 wat dhe televizori përafërsisht 50 wat, në rast të lojës dy orëshe, deri tash shpenzimet e përafërta kanë qenë rreth 3 centë. Për shkak të rritjes së madhe të çmimit të energjisë në botë, ky 2 orësh mund të kushtojë rreth 30 centë. Kjo mund të ndodhë nëse energjia duhet të blihet sot në tregun botëror të energjisë. Pra, nëse brenda ditës në Kosovë luajnë ta zëmë 10 mijë qytetarë, i bie të shpenzohen 3 mijë euro për dy orë në ditë”, ka deklaruar Sadiku.
Sadiku thotë se edhe pajisjet të cilat nuk përdoren, duhet të largohen nga rryma, pasi edhe ato shpenzojnë.
“Edhe kur nuk përdoren pajisjet, dhe janë në rrymë, shpenzojnë pak rrymë. Për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kjo “pak” ka rëndësi”, ka deklaruar Sadiku.
Edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar për Express se të gjitha pajisjet të cilat qëndrojnë në rrymë, shpenzojnë, edhe kur nuk janë duke u përdorur.
“Të gjitha pajisjet që janë në ‘stand by’ harxhojnë rrymë. Sigurisht një pajisje individuale nuk ka ndonjë impakt. Por, kur grumbullohen miliona pajisje, pasi secila familje ka minimum 10 pajisje në ‘stand by’, atëherë impakti është i rëndësishëm. Secili veprim që ndikon në kursim është i mirëseardhur dhe lehtëson barrën e furnizimit me energji elektrike”, ka deklaruar Buxhala.
Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.
“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mirë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj.
“ZRRE ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave dje në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milion për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milion për import”, ka thënë ajo, gjatë raportimit në komision.
Ministria e Ekonomisë, ndërkohë, është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.
Kjo strategji, sipas ministrisë, do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht, për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Si mund të kursehet energjia elektrike sipas Ministrisë së Ekonomisë
Ministria e Ekonomisë ka dalë me rekomandime për kursimin e energjisë elektrike.
Sipas këtij maunali, kërkohet që t’i fikni dritat kur dilni nga dhoma, t’i zëvendësoni poçat elektrik me ata me efiçiencë të lartë (LED), të shfrytëzoni dritën natyrore gjatë ditës dhe të vendosni cenzorët e efiçiencës.
Bëhet thirrje edhe që pajisjet elektrike që konsumojnë më shumë energji, siç janë: rrobalarësja, enëlarësja dhe hekuri për hekurosje të përdoren mes orës 22:00 dhe 07:00, atëherë kur tarifa e ulët është 57 përqind më e lirë se tarifa e lartë.
Po ashtu, kërkohet që të shfrytëzohet racionalisht uji i ngrohtë, të mos lihen në pozicionin ‘stand by’ pajisjet si mikrovala, televizori, radio, kompjuterët e konsola e video-lojërave.
Po ashtu, në manualin e Ministrisë së Ekonomisë kërkohet që të mos lihen në rrymë gjithë natën mbushësit e telefonave, llaptopëve etj, pasi pajisjet të jenë të mbushura me bateri./GazetaExpress