Zbatimi i legjislacionit që mundëson qasje të lirë në informacion mbetet prapa në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, tregon hulumtimi më i fundit i Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve të Gazetarëve – BIRN. Në secilin prej vendeve të rajonit, gazetarët dërguan kërkesa për informacione në disa institucione, dhe pothuajse në çdo vend kishte institucione që refuzonin të përgjigjeshin. Në rastin e Maqedonisë, 30% e institucioneve nuk janë përgjigjur fare, dhe ndër shembujt që kanë refuzuar kategorikisht të japin informacion janë Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria doganore kur u pyetën për sasinë totale të kanabisit të importuar në vend. Si shembull pozitiv i transparencës janë përmendur gjykatat dhe Komisioni Kundër Korrupsionit, ndërsa përgjigje të pjesshme, por jo të plota për pyetje të ndryshme kanë dhënë edhe Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Prokuroria Publike.
Drejtoresha e Agjencisë për Qasje të Lirë në Informacione, Plamenka Bojçeva, thotë se problemi më i madh me të cilin ballafaqohet institucioni i tyre është heshtja e administratës, përkatësisht mospërgjigja e pyetjeve brenda afatit të përcaktuar me ligj. Rreth 80% e ankesave të dorëzuara në Agjenci në vitin 2020 i referoheshin një përgjigjeje të pa marrë brenda afatit të caktuar, dhe në vitin 2022 kjo përqindje u ul në 61.
“Është fakt se vullneti politik luan një rol të madh në mundësimin apo mos mundësimin e aksesit në informacione, megjithatë atë që ne si Agjenci përpiqemi ta bëjmë, por fatkeqësisht nuk kemi mjaftueshëm mjete vetanake dhe për këtë arsye gjithmonë i drejtohemi Sektorit civil dhe organizatat ndërkombëtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut po përdorin projekte për ta tejkaluar atë vullnet politik duke ndërtuar vetëdijen institucionale”, deklaroi Plamenka Bojçeva – drejtoreshë e Agjencisë për Qasje të Lirë në Informacione.
Për vitin 2022, më së shumti ankesa në Agjenci janë paraqitur për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komunën e Ohrit. Megjithatë, ndryshe nga dy vite më parë, numri i përgjithshëm i ankesave është ulur ndjeshëm, gjë që konsiderohet si një përparim pozitiv.