Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë të angazhuar maksimalisht në përmbushjen e mandatit kushtetues për organizimin e zgjedhjeve lokale në veri. Por një javë para ditës kur duhet të mbahen ato në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, fletëvotimet nuk janë shtypur, kontejnerët që do të shërbejnë si qendra votimi nuk janë vendosur, e nuk është përmbushur as numri i komisionerëve
Kanë mbetur edhe shtatë ditë para datës së përcaktuar nga presidentja e vendit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe
E deri atëherë, institucionet kanë ende punë për të bërë
Sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fletëvotimet nuk janë shtypur ende, 13 kontejnerë që do të shërbejnë si vendvotime nuk janë vendosur ende, e as nuk është plotësuar numri i komisionerëve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion është i përkushtuar maksimalisht në përmbushjen e mandatit që ia jep Kushtetuta për organizimin e zgjedhjeve.
Thotë se përgatitjet për zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, do të përmbyllen me kohë.
“Qendrat e votimit do të përgatiten me kohë dhe për këtë do të njoftohen qytetarët. Në mbledhjen e fundit, KQZ-ja ka përcaktuar numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për këto zgjedhje. Shtypja e tyre do të bëhet ditëve në vazhdim. Të premten, KQZ-ja ka emëruar një numër të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve, ndërsa u ka dhënë afat shtesë subjekteve politike për të paraqitur nominime të reja”, tha Elezi.
Gjatë ditës së diel, KQZ-ja e ka publikuar në faqen e saj vegëzën prej ku qytetarët mund ta gjejnë online vendvotimin e tyre.
Përgatitje po bëjnë edhe prokurorët. Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Laura Pula, ka konfirmuar se më 18 prill do të ketë takim të taskforcës së prokurorisë për zgjedhjet, pas të cilit do të ketë më shumë informata.
Zgjedhjet në veri do të mbahen në 19 pika votimi. Gjashtë janë të përhershme, kryesisht shkolla shqipe dhe 13 të tjera janë alternative.
Zgjedhjet në veri u shkaktuan nga dorëheqjet e kryetarëve e asamblistëve të komunave në veri të vendit në nëntor të vitit të shkuar. Mbajtja e tyre ishte paraparë në dhjetor, porse u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për prill të këtij viti, pas konsultimit të partive politike dhe pranimit të vlerësimeve për rrezikshmërinë nga organet e sigurisë.