Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nënshkruan të premten në Prishtinë një marrëveshje për trafikun ajror mes dy vendeve.
Marrëveshja i hap rrugën përdorimit të korridoreve ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, për aviacionin civil, që deri tani shfrytëzoheshin për fluturime ushtarake të NATO-s.]
“Ky është një hap sa i rëndësishëm po aq i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy republikave tona. Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ul koston e fluturimeve të cilat ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve evropiane.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha se ndryshimet politike në vendin e tij nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet me Kosovën.
“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa procese politike por kjo nuk do të ndërrojë kurrfarë politike ndaj Kosovës zyrtare. Ju mund të llogaritni në Malin e Zi në atë që ka me qenë aktivitetet ndërkombëtare i Republikës së Kosovës në të ardhmen, e jemi të gatshëm të përkrahim me kapacitetet tona”, tha zoti Abazoviç, duke ju referuar zgjedhjeve presidenciale në Malin e Zi, në të cilat humbi udhëheqësi shumëvjeçar i vendit të vogël ballkanik, Milo Gjukanoviç.
“Ne vijmë me një mesazh paqësor, një mesazh miqësor dhe edhe në të ardhmen do të mundohemi të krijojmë një atmosferë të mirë rajonale ku dy shtete të japin shembull sesi duhet të jenë marrëdhëniet mes dy qeverive”, tha Abazoviç.