Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj rastit tragjik në Pejë ku dyshohet se djali ka vrarë nënën e tij.
Halimi vlerëson se shoqëria kosovare përditë po tronditet nga dhuna e vrasjet teksa shton se nuk ndërmerret asnjë hap drejt ndryshimit të mendësisë dhe politikave ndëshkimore.
“Shoqëria kosovare përditë po tronditet nga dhuna e vrasjet, ndërsa nuk ndërmerret asnjë hap drejt ndryshimit të mendësisë dhe politikave ndëshkimore. Institucionet e shtetit, urgjentisht duhet të mendojnë për një qasje shumë dimensionale për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje. Tashmë nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por për një plagë shoqërore thellësisht strukturore të dhunës së fshehur brenda psikologjisë shoqërore”, ka thënë Halimi.
Mes tjerash, ajo tha se ky rast tragjik duhet të jetë alarm për institucionet.
“Rasti i vrasjes së gruas në Pejë, të dridh në shpirt; alarm për këtë shoqëri e këto institucione, që të lëvizin nga parimi i dënimit verbal të rasteve në rrjete sociale e media. Në të kundërtën dhuna dhe vrasjet kanë filluar të shndërrohen në përditshmëri deri në normalizim” ka thënë Halimi në Facebook