Dëgjimi i dëshmitares së parë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po zhvillohet në seancë private.
Lidhur me këtë është shprehur i revoltuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai gjithashtu ka përmendur faktin që dëshmitarja është e mbrojtur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi fytyra dhe zëri i saj janë fshehur.
“Pak po iu duket që i fshehët fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjetësh zvarritje.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.
Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë./Telegrafi/