Në Kosovë 70% e grave besojnë se ngacmimi seksual është dukuri e pranishme në vendin e punës, ndërsa vetëm 9% deklarojnë se janë ngacmuar seksualisht vet ose njohin dikë që ka përjetuar një gjë të tillë.
Këto të dhëna janë pjesë e një studimi të organizatës UN Women i cili u publikua të enjten në Prishtinë. Autorët e studimit thanë se përgjatë hulumtimeve kanë vërejtur hezitimin e grave për të folur mbi këtë dukuri dhe së këndejmi të dhënat nuk pasqyrojnë gjendjen reale.
“Çfarë jemi munduar të bëjmë për ta mposhtur këtë nënraportim është se përveç që i kemi pyetur gratë për veten se a janë ngacmuar seksualisht, i kemi pyetur edhe për koleget, ‘në rregull nëse jo ti a është ngacmuar ndonjë kolege e jotja?’. Kjo meqë sipas literaturës që kemi shqyrtuar kemi parë se nëse gratë nuk raportojnë për vete, të paktën janë më të prirura të raportojnë për kolege. Gjithashtu i kemi pyetur edhe në përgjithësi në vend, jo për to ose koleget e tyre, por a mendojnë se ngacmimi seksual është i përhapur?” tha Dina Vllasaliu nga UN Women.
Rreth 35 për qind e grave që kanë përjetuar ngacmim seksual në punë thonë se një ngjarje e tillë u ka dëmtuar vetëbesimin, rreth 32 për qind thonë se u ka lënë pasoja psikologjike, 31 për qind thonë se kanë frikë për sigurinë në vendin e punës.
Dina Vllasaliu nga UN Women tha se shqetësuese është edhe shkalla e ultë e raportimit të ngacmimeve seksuale.
“66 për qind kanë thënë se e kanë raportuar, por çfarë është shqetësuese është se prej tyre vetëm 3 për qind e kanë raportuar në polici, 52.5 për qind e kanë raportuar te një mbikëqyrës e të tjerat ju kanë treguar vetëm shoqeve. Pastaj i kemi pyetur përse nuk kanë raportuar dhe tre arsyet kryesore kanë qenë se janë turpëruar, janë brengosur për sigurinë e punës së tyre dhe janë brengosur se askush nuk do t’u besonte”, tha zonja Vllasaliu.
Të dhënat tregojnë se gratë kanë vështirësi edhe në kuptimin e mirëfilltë të llojeve të ngacmimit seksual, ndërsa mungojnë nismat për t’i ndihmuar ato në këtë proces. Vetëm rreth 16 për qind e grave të anketuara kanë deklaruar se janë trajnuar në vendin e tyre të punës për të identifikuar dhe raportuar ngacmimin seksual.
Bashkërenduesja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tha se ky hulumtim shërben edhe si thirrje për veprim nga politikbërësit në ndërgjegjësimin e grave mbi këtë dukuri.
“Mendoj se të gjitha gratë që kanë qenë të punësuara ndonjëherë kanë përjetuar situata ku ndoshta janë prekur nga një burrë, apo janë shikuar në formë të caktuar, apo çfarëdo veprimi tjetër që është i tepërt dhe kanë menduar të mos flasin për atë me arsyetimin se ‘jam shumë e sjellshme, apo kjo është shumë turpëruese’, apo ndoshta i kanë thënë vetes se mund të jetë faji i tyre, se ndoshta kanë veshur një minifund shumë të shkurtër. Por çfarë ne duhet të mendojmë në vend të kësaj është se kemi të drejtën njerëzore për të qenë të sigurta në mjedise të punës dhe ta kryejmë punën pa u konsideruar si objekte seksuale”, tha ajo.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se në këtë institucion që nga viti 2017 e deri tash janë paraqitur vetëm dhjetë raste të ngacmimeve seksuale, numër që sipas tij nuk përkon me perceptimin e përgjithshëm të shkallës së përhapjes së kësaj dukurie.
“Frika nga hakmarrja dhe pasojat që mund t’i ketë vet viktima është një prej shkaqeve që mund të supozoj se përse raportimi i ngacmimeve është i ultë ose nuk raportohet fare. Kjo frikë nuk lidhet vetëm me çështjen e paragjykimeve, botëkuptimit që ekziston në shoqërinë tonë për ta fajësuar viktimën në të tilla raste, por edhe me mungesën e informacionit se cilët janë mekanizmat ku duhet të adresohen këto raste, pastaj mungesa e besimit te institucionet se do t’u ofrohet një zgjidhje efektive”, tha ai.
Në hulumtimin e UN Women, janë anketuar mbi 500 gra nga shtatë rajone të ndryshme të Kosovës, të punësuara në sektorin privat dhe atë publik. Sipas të dhënave të këtij studimi, format më të përhapura të ngacmimit në Kosovë janë komentet e natyrës seksuale, komentet e papërshtatshme ose ofenduese dhe shikimet ngacmuese./VOA