Ish-politikani serb Vuk Drashkoviq ka shkruar në lidhje me krimet e regjimit serb e të cilat u përpoq që t’ua mvishte shqiptarëve, përfshirë UÇK-në.
Këtë shkrim, z. Drashkoviq e ka publikuar gjatë ditës së sotme, më 6 prill, dhe ku shkruan e denoncon gjerësisht një gjë të tillë.
Ai përmend specifikisht rastin famëkeq “Panda” dhe fjalët e Vuçiqit të bëra në vitin 2013 ku e pranonte se ajo nuk ishte bërë nga shqiptarët, sikundër ishte menduar gjatë, por nga vetë serbët.
“
UDBA dhe televizioni shtetëror kishte njoftuar që vrasësit ishin terroristë shqiptarë,” – shkruan Drashkoviq në shkrimin e tij.
Ai denoncon Serbinë se si nuk kishte hetuar rastin Panda ku mbetën të vrarë gjashtë studentë serbë edhe pas rënies së Millosheviqit.
“Më pas, papritmas, 15 vjet më vonë Aleksandër Vuçiqi njoftoi se masakra nuk ishte bërë nga shqiptarët, apo shërbimet e huaja dhe që Serbia do të shokohej kur ta mësonte të vërtetën!” – përkujton Drashkoviq, duke treguar se prej asaj kohe nu kishin dhënë emrat e terroristëve dhe emrat e atyre që kishin urdhëruar vrasjen e fëmijëve serbë.
Më pas, z. Drashkoviq njofton se si ishte thirrur nga hetues për krime të terrorizmit më 18 dhjetor të vitit 2019.
“Prokurori më tha që Zyra e Prokurorit po kryen hetim kundër terroristëve të panjohur shqiptarë të UÇK-së për krimin në kafenenë Panda…” – vazhdon z. Drashkoviq. E gjithë kjo, përkundër që Vuçiq e kishte pranuar qysh më 2013-n se ajo nuk ishte kryer nga (sic) “terroristët shqiptarë”.
Por, më poshtë keni pjesën më interesante:
“Ai hapi një dosje me fotokopje të deklaratave dhe teksteve të mia për krimin në Panda. Ai më pyeti se si e dija unë që Sllobodan Millosheviqi kishte urdhëruar vrasjen e nxënësve serbë, se kreu i UDBA-s, Radomir Markoviqi kishte zgjedhur njësitin e Legijas për ta kryer krimin, se si ekipet e vdekjes kishin vrarë shumë shqiptarë lojalë ndaj Serbisë në mbarë Kosovën dhe se këto likuidime ishin bërë me qëllimin që t’i atribuoheshin guerilëve shqiptarë dhe pasioneve të urrejtjes e hakmarrjes dhe histerisë së luftës në Serbi?”
Drashkoviq shkruan se hetimi i “mijëra krimeve” të UDBA-s është i ndaluar sot në Serbi.
“Prokurorët e UDBA-s e kanë gjetur një emër për terroristët e UDBA-s që mbrojnë: kriminelë të panjohur. Ata terroristë “të panjohur” që vranë studentët në Panda.” – përfundon ai.
Kujtojmë se në Hagë po mbahet procesi i gjykimi të ish-krerëve të UÇK-së derisa në Kosovë ka pasur vazhdimisht ankesa në lidhje me dënimet dhe gjykimet e pakta në Serbi të krimeve të luftës të kryera ndaj popullësisë shqiptare.