Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në një intervistë pas Ministerialit të NATO-s është ndalur në procesin e gjyqit që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK-së për krime lufte.
Xhaçka theksoi se udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje për çlirim po akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte.
“Lufta e Kosovës për pavarësi nuk mund të rishkruhet. Ne respektojmë parimin e barazisë para ligjit dhe gjykatën që është krijuar me vendim të Kuvendit të Kosovës, por duke pasur parasysh akuzat që i hapën rrugë kësaj gjykate speciale me vullnetin e atyre që sot janë marrë të pandehur për ta pastruar Kosovën nga kjo njollë. Ajo që po ndodh prej më shumë se dy vjetësh është e dëmshme. Duket qartë që nuk ka prova që UÇK ka kryer krime lufte dhe që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje për çlirim nga shtypja dhe mbrojtja nga spastrimi etnik, akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte”, tha ministrja.
Xhaçka theksoi se për këto krime duhet drejtësi e vërtetë, të shihen faktet dhe të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi.
“Si të gjithë bashkëkombësit tanë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo nëpër botë, ne kërkojmë drejtësi. Jo që dikush të jetë mbi ligjin, por që të shihen faktet dhe të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi. Dhe të mos harrohet se krime lufte, vrasje civilësh në masë, varre masive ende të pazbuluara, përdhunime, tortura, zhvendosje të detyruara, janë kryer prej regjimit të Millosheviçit. Për këto krime duhet drejtësi e vërtetë, duke përfshirë zbulimin e vendndodhjeve të të gjitha vendeve të varrimit”, tha ajo.