Me marrëveshjen e fundit të arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, po vlerësohet se Kosova dhe Serbia kanë bërë një hap të rëndësishëm për normalizimin e plotë marrëdhënieve me njëra-tjetrën.
Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, thotë se në fillim ishte skeptik sa i përket iniciativës franko-gjermane, por tani vlerëson se është bërë një progres i rëndësishëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, ai ka edhe kritika ndaj Bashkimit Evropian, për shkak se nuk ofron një rrugë të qartë për integrim të dyja vendeve në bllokun evropian.
“Të them të drejtën në fillim isha skeptik sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, por tani e shoh se është bërë një progres i mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes te dyja vendeve. Është shume pozitive që dokumentet do të njihen, këtu përfshihen pasaportat, targat dhe dokumentet e tjera. Gjithashtu artikulli i katërt i marrëveshjes e bënë të qartë se Serbia nuk do ta pengoj Kosovën për t’u anëtarësuar në Organizata Ndërkombëtare. Ndërsa gabimi i Bashkimit Evropian qëndron se palëve nuk i është premtuar një rrugë e qartë për t’u integruar në familjen evropiane”, tha Abraham.
Tutje, Abraham thotë se ka ardhur koha që Kosova të fillojë më zbatimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca të limituara.
Sipas tij, në asnjë formë në Kosovë nuk do të krijohet një pushtet i tretë.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka bërë të qartë se nuk do të lejoj një pushtet te tretë në Kosovë. Megjithatë i takon Kosovës që të filloj ta formoj asociacionin me kompetenca te limituara për komunitetin serb në Kosovë, sepse për këtë palët janë pajtuar në vitin 2013, me marrëveshjen e Brukselit. Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tani është para një testi të vërtetë sepse ai ka marrë obligime që ta respektoj marrëveshjen pavarësisht se nuk e ka nënshkruar atë”, deklaroi ai.
Takimi i radhës me Kosovës dhe Serbisë, do të zhvillohet nesër në Bruksel në nivel të kryenegociatoreve.