Gjykata Themelore në Gjakovë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj të pandehurin H.H. për ngacmim seksual.
Ai akuzohet se me datë 08 mars 2023 në një rrugë të Gjakovës me dashje i ka ngacmuar seksualisht vajzat e mitura. Bëhet e ditur se ato kanë qenë duke ecur në këmbë dhe e kanë parë të pandehurin të zhveshur dhe duke bërë gjeste e duke e ekspozuar organin gjenital në drejtim të tyre.
Të gjendur në këtë situatë, vajzat kanë ndërruar rrugën, por i pandehuri ishte veshur dhe nisur në drejtim të tyre dhe i ishte drejtuar me fjalën “përshëndetje”. Më pas, siç thuhet në njoftimin e gjykatës, të dëmtuarat të frikësuara kanë kërkuar ndihmën e një kalimtari të rastit dhe i pandehuri atëherë ishte larguar me vrap.
Me këto veprime organet e rendit njoftojnë se ai ka shkaktuar cenimin e dinjitetit dhe ka krijuar një mjedis frikësues.