Gjykata Kushtetuese ditë më parë e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.
Gjykata ka konstatuar se disa nene të këtij ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.
E pas këtij vendimi të Kushtetueses ka pasur reagime edhe nga vet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Për ministren Haxhiu me këtë vendim, Kushtetuesja e goditi reformën në drejtësi.
Haxhiu në RTV Dukagjini ka thënë se problemi me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është se në njërën anë konfirmon koorporatiizmin e Këshillit Prokurorial por thotë në anën tjetër se nuk mund t’u ndërpritet mandati.
“Prej korrikut të vitit 2022 ky projektligj është në Gjykatën Kushtetuese pra gjashtë muaj që të analizojë këtë. Me këtë përveç që i është dhënë goditjes reformës në drejtësi e kam thënë që mund të na vonojnë edhe zvarrisin, është mbrojtje e koorporatizmit”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përbërja aktuale e Këshillit Prokurorial të Kosovës është e padrejtë.
“Duke e konsideruar si një përbërje të padrejtë, si një mos balancim, për faktin se siç është vlerësuar edhe nga Komisioni i Venecias, kemi konsideruar që përbërja prej 10 prokurorëve në një organ i cili ka përgjegjësinë për menaxhimin e sistemit prokurorial, që kanë lidhje të ngushta me njëri tjetrin, pak a shumë nëse e shihni edhe kur janë zgjedhë anëtarët ka pasur reagime të fuqishme nga partnerët tanë…, edhe për mënyrën se si janë bërë pazaret për t’u zgjedhur anëtarët pastaj edhe vetë strategjia për sundimin e ligjit që ka zgjatë diku katër vite ka sugjeruar që të ulet numri. Duke qenë që anëtarët e KPK nuk kanë mandat kushtetues, zgjidhen sipas ligjit, kemi vlerësuar që duhet të bëhen ndryshimet në ligj”, është shprehur ajo.
Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.
Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë Kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë.
Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.
Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se përbërja, proporcioni në mes të anëtarëve prokurorë të përzgjedhur dhe joprokurorë, me garancitë për të shmangur “politizimin”, ky ligj s’ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka thënë po ashtu se përzgjedhja e anëtarëve joprokurorë me shumicë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, s’është në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata ka sqaruar që kompetenca e Avokatit të Popullit për të zgjedhur anëtarë joprokurorë të KPK-së s’është në përputhje me Kushtetutën.
Ky ligj ka paraparë po ashtu që vendimmarrja të bëhet me pesë vota nga shtatë anëtarët, me kushtin që në shumicë të jetë të paktën një votë e një anëtari joprokuror.
Kjo, sipas Kushtetueses, s’është në përputhje me pavarësinë kushtetuese. Në aktgjykim thuhet se “vendimmarrja në KPK, do të mund të kushtëzohej nga vota e njërit nga anëtarët joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë”.
Gjykata ka arsyetuar shpalljen e pavlefshme të ligjit me “vështirësitë e zbatimit të tij”.
Miftaraj: Ligji për KPK-në dështoi për shkak të ministres Haxhiu
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se për shkak të joprofesionalizmit dhe joseriozitet të ministrisë së Drejtësisë për të argumentuar nevojën për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka rezultuar edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila këtë ligj e shpalli të pavlefshëm.
Miftaraj, në një intervistë për KP deklaron se MD nuk ka dërguar dëshmi për ta bindur Kushtetuesen për problemet që ka sistemi prokurorial i Kosovës.
“Reforma në sistemin prokurorial në këtë rast ligji për KPK ka dështuar më shumë për shkak të joprofesionalizmit, por edhe joseriozitetit të ministrisë së Drejtësisë për ta argumentuar të njëjtin pranë Gjykatës Kushtetuese…..Gabimin që e ka bërë MD ka qenë se kur e ka miratuar ligjin, kur ka komunikuar me Gjykatën Kushtetuese në bazë të asaj që përcakton ligji nuk ka dërguar dëshmi dhe nuk e ka bindur Gjykatën Kushtetuese lidhur me problemet që ka sistemit prokurorial.
Problemet kryesore të sistemit prokurorial janë mungesa e integritetit të anëtarëve të KPK, mungesa e efikastitetit, kultura e pandëshkueshmërisë dhe çka është më e rëndësishme ky sistem prokurorial nuk po është në gjendje tu ofroj drejtësi qytetarëve të Kosovës, për këtë arsye Gjykata Kushtetuese në mungesë të dëshmive nuk ka pas rrugë tjetër veçse në njëfarë mënyre ta shpallë ligjin kundërkushtetues”, thekson ai.
Miftaraj thotë se Ligji për KPK-në ka qenë shpresë se do të ndërpritej pandëshkueshmëria dhe mungesa e rezultateve në sistemin prokurorial të Kosovës.
Sipas njohësit të sistemit të drejtësisë, ky ligj në asnjë rrethanë nuk ka paraparë asnjë mundësi për politizim të sistemit.
“Ashtu siç është propozuar në ligj në asnjë rrethanë ligji nuk ka paraparë asnjë mundësi për politizim të sistemit prokurorial, pse sepse nga 7 anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës të propozuar, 4 nga ta janë brenda sistemit, 4 prokurorë dhe 3 kanë qenë jashtë sistemit që do të duhej të emëroheshin nga Kuvendi i Kosovës…
Përmes këtij ligji ka qenë shpresa e vetme që të ndërpritet kultura e pandëshkueshmërisë, të ndërpritet kultura, ku sistemi prokurorial i Kosovës edhe përkundër kritikave nga partnerët ndërkombëtarë e shoqëria civile dhe mungesës së rezultateve thjesht të njëjtë nuk ka vullnet ta ndryshojnë gjendjen, por të njëjtit vazhdojnë me këtë status-qou që sistemi prokurorial të mbetet peng i 5 apo 6 figurave kryesore që në 10 vitet e fundit i kanë okupuar pozitat kryesore në sistemin prokurorial”, shprehet Miftaraj.
Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj thekson se tanimë e tërë përpjekja për reformë në Këshillin Prokurorial të Kosovës është kthyer në pikën zero dhe gjithçka duhet të nisë nga fillimi.
Lidhur me vendimin e Kushtetueses ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
KDI thotë se Reforma në drejtësi që përveç ndryshimit të disa ligjeve ekzistuese, mëton të sjellë ndryshime rrënjësore të manifestuara përmes iniciativave kapitale si procesi i vetingut, Byroja për konfiskimin civil të pasurisë dhe Këshilli Prokurorial duhet të ketë konsensus të gjerë.
“Për shkak të ndjeshmërisë dhe peshës që këto ndryshime ligjore pritet të sjellin në sistem por edhe në praktikë, të njëjtat do të duhej të ishin zhvilluar në një frymë më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse me akterët relevant”.
KDI ka kërkuar nga institucionet shtetërore që vendimet e Kushtetueses të zbatohen pa pasur asnjë rezervë.
Ky Institut ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me deklaratat e ministres Haxhiu për vënien në dyshim të përmbajtjes së vendimit të kushtetueses. /Telegrafi/