Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot ka nisur vizitën zyrtare disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila realizohet me ftesë të Kongresit Amerikan.
Shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli thotë se ai do të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci, që do të mbahet më 28-30 mars.
Po ashtu, kryeparlamentari do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan dhe të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues politikë të shteteve të tjera, duke përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.
“Sot, me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, filluam vizitën zyrtare disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila realizohet me ftesë të Kongresit Amerikan.
Kryetari Konjufca do të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci, që do të mbahet më 28-30 mars, si dhe në pritjen që Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve (HDP) do të organizojë për lidershipin dhe deputetët e parlamenteve të shteteve partnere të HDP-së dhe shteteve të tjera.
Krahas pjesëmarrjes në aktivitetet e Samitit, është paraparë që Kryetari i Kuvendit të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan dhe të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues politikë të shteteve të tjera, duke përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës”, njofton Kerçeli.