Sulmi ndaj Top Channel ishte një akt i mirë menduar me qëllim për të terrorizuar, sipas kryeredaktorit të lajmeve Altin Kreka.
“Është ngjarje e mirëmenduar. Autorët kanë gjetur makinën, kanë vjedhur targat, kanë investuar para për këtë sulm. Duket që është akt terrorist për të dhënë një mesazh. Mesazh për të heshtur, për të indimiduar”, shprehet Kreka në “Shqipëria Live”.
Kryeredaktori thekson se asgjë nga këto që ndodhi nuk e tremb Top Channel, ndërsa shprehet se ngjarja mund të ishte më tragjike pasi në godinë ndodheshin dhjetëra gazetarë dhe punonjës të tjerë.
“Fatkeqësisht humbi jetën babai i tre fëmijëve. Ngjarja mund të ishte më e rëndë. Pak minuta më para ka qenë stafi i lajmeve të edicionit të mesnatës. Pak minuta më pas ka qenë një tjetër staf që edhe njoftoi për ngjarjen.
Të shohësh vendin tënd të punës vendngjarje, është një gjë që nuk ia uroj asnjë kolegu. Falënderoj kolegët që reaguan për këtë ngjarje.
Është bërë për të terrorizuar. Qëllimi tyre ka qenë terrori. Terrori është dhe me vrasje, dhe me intimidim. Në atë orë të natës, në godinën tonë ka shumë njerëz që punojnë. Ai që e ka bërë nuk e ka menduar që godina do të ishte bosh. Aty ka qenë stafi i lajmeve, stafi teknik, regjia, siguria”./TopChannel