Në lidhje me rastin e inicuar në muajin prill, nën dyshimet për përfshirje të zyrtarëve në vepra penale si ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe mashtrimit në detyrë’, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka intervistuar 5 persona në Drenas, përcjell “Zëri.info”.
Sipas njoftimit për media me vendim të prokurorit pas intervistimit këta 5 persona janë dërguar në ndalim prej 48-orësh.
Njoftimi i plotë:
Po ashtu sot me 31/05/2019 në komunën e Drenasit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas pranimit të informacioneve zyrtare nga vetë Komuna e Drenasit, ka ndërmarrë veprime policore lidhur me një rast të iniciuar me datën 12.04.2019, i cili ka të bëjë me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrimi në detyrë’, që ndërlidhen me një projekt tenderues të disa viteve më parë. Pas hetimeve të kryera në cilësinë e personave të dyshuar janë intervistuar pesë (5) persona, prej tyre tre zyrtarë të kësaj komune, një ish zyrtar i komunës dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e projektit tenderues, të cilët me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në ndalim për 48 orë. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet mbi dyshimet e bazuara të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë.