Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka degraduar gjithë procesin e dialogut me Serbinë, raporton teve1.info
Krasniqi tha se procesi i dialogut ka kaluar nga marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohje në qendër, në marrëveshje të përkohshme, të pjesshme dhe me autonomi në qendër.
Krasniqi tha se për këtë degradim përgjegjës është kryeministrit Albin Kurti.
“Ky degradim, ardhje në këtë pikë, është faji i tij. Prej qëllimit të njohjes së ndërsjellë, e ka pranua mosnjohjen, ky është dorëzim, është turp, me thënë nuk kemi mundur të arrijmë tekst më të mirë. Para 1 viti ka mundur me pas tekst më të mirë, që së paku nuk e pranon mosnjohjen nga Serbia”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se kryeministri Kurti mbrëmë me një fjali e ka përmbys gjithë jetën e tij politike, derisa shtoi se e uron për sinqeritetin e treguar.
“Pyetja e parë është me vetë ‘çka ka çka s’ka’, a ka Zajedincë a ka Asociacion sepse me një fjali mbrëmë kryeministri e ka përmbys krejt jetën politike. Por, e uroj për sinqeritetin e tij sepse po, ka Asociacion dhe ka pas sa herë që ky ka thënë nuk ka Asociacion, por loja me fjalë e ka afatin skadimit. Fjalët skadojnë atëherë kur duhet me ndërmarr veprime dhe kryeministri veprimet i ka marrë mbi vete, për ironi të fatit të Kosovës, në villen e Titos, të kasapit të shqiptarëve i ka pranuar krejt atë që ka premtuar se nuk do ta pranonte”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së, tha se kryeministri i ka pranuar krejt ato që ka premtu që nuk do t’i pranoj kurrë.
“Kryeministri Albin Kurti kalimin më të madh e ka bërë kur ka kalu me këtë pajtim prej vetëvendosje jo negociata, në negociata po vetëvendosje për serbët e Kosovës. Kjo është tradhti ndaj ndjekësve të vet, votuesve të vet sepse ju ka premtu që nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë Zajednicë”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se PDK për dy vite e ka mbështet kryeministrin Kurti në raport me Serbinë, por shtoi se kryeministri siq u shpreh ai, me arrogancën e tij, shpërfilljen dhe gabimet e ka sjellë situatën ku edhe partnerët e Kosovës e kanë humb ambicien për marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë.