Mediat amerikane kanë raportuar se është shtyrë seanca e një jurie të madhe, e cila do të vlerësojë nëse do të miratojë akuzat kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me një pagesë që i është kryer një ylli të pornografisë, në këmbim të heshtjes.
Mediat amerikane, duke cituar disa burime të afërta, kanë thënë se juria e madhe nuk do të mblidhet të mërkurën.
E ashtuquajtur juri e madhe, ajo përbëhet prej një grupi të qytetarëve, të cilëve ligji u jep autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme penale të një pandehuri dhe të vlerësojnë nëse duhet ndëshkuar ai.
Prokurori i Manhatanit mund të akuzojë Trumpin për mënyrën si e ka deklaruar pagesën për yllin e pornografisë, Stormy Daniels, së cilës i është kërkuar të heshtë për një aferë të supozuar me ish-presidentin amerikan.