Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha janë shprehur se janë të gatshëm të dialogojnë, duke mirëpritur ndërhyrjen e CDU–CSU-së gjermane që angazhohet për të ulur palët, por me kushtet e tyre, që gjithsesi i largohen edhe më shumë një kompromisi politik. Rama: Nuk negocioj për datën e zgjedhjeve dhe nuk dorëhiqem si kryeministër. Basha: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, dorëheqje e Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe ndershme.
Të dy kundërshtarët e deklaruar kanë përmendur disa herë fjalën dialog, por me kushtet e tyre, e largojnë edhe më shumë idenë e një kompromisi që do zgjidhte krizën e madhe politike dhe konfliktin që ka vendi. Faktori ndërkombëtar po vetofrohet në gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme politike, dhe një prej tyre është CDU-CSU gjermane, e cila ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar një kompromis të mundshëm, ku palët politike të gjejnë zgjidhje nëpërmjet dialogut. Mbetet një shenjë pozitive në konfliktualitetin mjaft të ashpër politik tonin angazhimi i dy partive kryesore politike gjermane, që përfaqësojnë edhe linjën zyrtare të qeverisë gjermane. Me qëndrimet që po mbajnë dy liderët kryesorë politikë, fjalën dialog e kanë intensifikuar, por qëndrimet për t’u ulur në një tryezë janë tërësisht të kundërta. Kryeministri Edi Rama në dukje ka hapur “krahët” për dialog, por kornizat që i ka vendosur, të paktën deri më tani janë; nuk dialogoj dhe bëj kompromise për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe do jetë në “krye” të tryezës si kryeministër. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike ka vendosur se dialogu mund të nisë; pa Ramën kryeministër dhe më 30 qershor nuk ka zgjedhje lokale. “E kam thënë dhe përsëris, dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj te vota. E kam kërkuar këtë edhe kur s’kishte kapsolla e fishekzjarrë. Sot pala tjetër dhe vendi kanë nevojë më shumë se asnjëherë për dialog, shqiptarët nuk ua kanë borxh politikanëve”, deklaroi në mesditë kreu i qeverisë Rama. I menjëhershëm ishte reagimi i Bashës, ku të “përbashkët” dy liderat patën vetëm formën e komunikimit; konferencë të qetë shtypi me gazetarët. “Zgjidhja politike është vetëm një, kryeministri i krimit duhet të largohet, një qeveri tranzitore, një dialog gjithëpartiak dhe transparent, për të stabilizuar gjendjen e rëndë të rendit edhe kushtetues dhe për t’i hapur rrugë një dialogu më të gjerë për t’iu kthyer shqiptarëve lirinë për të votuar”, theksoi kreu i opozitës Lulzim Basha.
Basha: Jo negociata me Ramën kryeministër
Kreu i PD-së Lulzim Basha vlerësoi impenjimin e faktorit ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje politike. “E mirëpres angazhimin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita janë gati të përfshihen në një proces politik me ndihmën e ndërkombëtarëve. Largimi i Ramës është çelësi që i hap rrugën këtij procesi politik, dhe një qeveri tranzitore”-deklaroi Basha. Sipas tij, do të vijojë aksioni opozitar ku do të ndërthuren protestat më të mëdha që ka parë ndonjëherë, Shqipëria me ofertën për qeveri tranzitore. “Zgjedhje të diktuara nga krimi, zgjedhje false, zgjedhje të marra peng nga krimi i organizuar nuk do të ketë më në Shqipëri. Ky është një mesazh i qartë që sot kumbon nga çdo cep i Shqipërisë”, theksoi kryedemokrati. I pyetur nëse ka një pengesë kushtetuese për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Basha i kujtoi Ramës vitin 2007, që sipas tij Rama shtyu dy herë zgjedhjet lokale për çështjen e certifikatave. Ndonëse kujtesa politike vlen, për aq kohë sa në vendin tonë “historitë e konfliktit” përsëriten, kreu i qeverisë është i vendosur për të treguar “anën formale” si “mbrojtës i Kushtetutës”… “Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, nuk negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017, po nuk e negociuam kushtetutën. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë, se presidenti mes 23 e 30 zgjodhi 30, e drejtë e tij. Pra, zgjedhjet do mbahen më 30 qershor e në këtë pikë, s’kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është kushtetuta e Shqipërisë. Kam nderin të flas në emër të një shumice në parlament e në popull”, – u shpreh kryeministri. Me qëndrimet që po mbajnë Basha dhe Rama, dialogu duket mjaft i largët, ndërsa dita e 30 qershorit po afron dhe kryeministri vijon të propagandojë se zgjedhjet do të jenë tërësisht të “lira dhe ndershme”, edhe pa garë, ku opozita tashmë ka refuzuar të marrë pjesë, duke e konsideruar një proces fals.
Protesta, si rruga që “çon” në zgjidhje krize?
Opozita në katër ditët e fundit zhvilloi dy protesta të mëdha, ku veçohet ajo e së shtunës e shoqëruar me incidente të rënda, ku protestuesit sulmuan Kryeministrinë dhe Parlamentin, por kundërpërgjigjja e policisë ishte në formë gati ekstreme. Përdorimi në masë i gazit lotsjellës, autoblinda që hidhte ujë me presion mbi protestuesit dhe dalja rrugë më rrugë e FNSH-së në largimin e turmave, ishin elementet që policia shfaqi një lloj agresiviteti të shtuar. Kjo u kurorëzua me dhunimin e rëndë të Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike Sait Dollapi. Opozita duket e vendosur për të vijuar protestën, madje pritet që ditën e sotme të caktohet një tjetër datë në protestën e përgjithshme që do mbahet në Tiranë. “Kam thirrur forumet më të larta të Partisë Demokratike dhe një konsultë të gjithë koalicionit të bashkuar të opozitës për agjendën e aksionit politik. Ky është momenti për të intensifikuar dhe vazhduar me vendosmëri betejën tonë”, tha Basha. Ndërkohë kryeministri Edi Rama dje ishte disi më i qetë, ndryshe nga dalja publike e së dielës, pa u mbushur 24 orë nga protesta e së shtunës. “As me qëndrime dhe as me marshime nuk zëvendësohet dhe rrëzohet qeveria dhe aq më pak bombat molotov janë një program apo alternativë qeverisëse, por sigurisht përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe atë familjare dhe atë të të gjithëve që jetojnë në këtë vend”-tha Rama. Sipas tij, ka rënie të potencialit ekonomik nga industria e turizmit dhe ka rënie për buxhetet e sipërmarrjeve të madha dhe të vogla që merrem me bizneset. “Kjo i bën keq Shqipërisë dhe shqiptareve. E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shans që të preket nga kjo, është qeveria dhe shumica qeverisëse, gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq”-tha ai. Me deklaratën se “qeveria nuk preket”, por shkatërrohet Shqipëria, kryeministri gjithsesi po tenton të tregojë në publik se gëzon mbështetjen qytetare dhe në “vlerësim” të tyre do të vijojë të qeverisë me çdo kusht, pavarësisht protestave masive të opozitës. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka një tjetër lexim, teksa shprehet se jo qytetarët, por krimi i organizuar nuk e lë Ramën që të dorëhiqet si kryeministër, pasi sipas tij ka ndarë me ta pasurinë e vendit dhe i ka përdorur për të blerë votat dhe nëpërmjet tyre sot është në pushtet.