Është arrestuar një i dyshuar për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi përmes rrjetit social Facebook.
Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, lidhur me rastin është sekuestruar një telefon dhe është intervistuar i dyshuari, i cili me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, ka ndërmarrë veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar, për kryerjen e veprës penale nga neni 232 ‘keqpërdorim i fëmijëve në pornografi’.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, respektivisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas pranimit të informacioneve se në rrjetin social Facebook, nga një person i dyshuar, është shpërndarë tek disa persona të tjerë një video me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve, ka filluar hetimet, ku si rezultat është identifikuar dhe është arrestuar një i dyshuar mashkull/kosovar.
Lidhur me rastin është sekuestruar një telefon celular dhe po ashtu është intervistuar personi i dyshuar dhe në konsultim me prokurorin kompetent i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë.