Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Celinë të Rahovecit, ku një grua e moshuar është dërguar në gjendje kritike për jetën në Spitalin Rajonal në Prizren.
Brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 65-vjeçarja është dërguar atje pa vetëdije, pasi e njëjta dyshohet se kishte konsumuar detergjent për pastrim (domestos).
Asaj i është dhënë ndihma e parë mjekësore, teksa është hospitalizuar për përkujdesje të mëtutjeshme nga mjekët.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me të birin e viktimës.
Bazuar në dëshminë e tij, gruaja e moshuar jeton e vetme në shtëpi dhe gjatë natës, nga etja dhe e përgjumur ka mbushur gabimisht gotën me domestos.
Sipas tij, ka qenë vetë nëna e tij e cila e ka njoftuar për atë që ka ndodhur, pasi e ka thirrur për ndihmë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’.