Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka pritur sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, ku Scholz ka thënë se beson që së shpejti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të nënshkruajnë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.
“Me të vërtetë kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë dhe Francës që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
I pyetur se kur pritet që palët ta nënshkruajnë propozimin në fjalë, Scholz ka thënë se beson “që ky proces do të përfundojë së shpejti”.
“Mendoj që janë bërë përparime të mëdha. Po të shikosh edhe deklarimet publike të Kurtit dhe Vuçiqit mund të vërehet që janë bërë përparime të mëdha. Ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Ndjesia ime është që tani mund të bëhet realitet ajo që është dukur e pamundur deri më tani”.
Në këtë konferencë, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e mbështetë plotësisht propozimin e BE-së.
“E mbështesin fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë, është një plan shumë përmbajtjesor dhe shumë real i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur të cilin të dyja palët duhet ta trajtojnë me të gjithë kurajën e domosdoshme”.