Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur dje në rrugën ‘Shala’ në Vushtrri, ku persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rastin e ka denoncuar një 24-vjeçar, i cili ka thënë se derisa ishte në rrugë, një veturë e kishte përcjellë nga mbrapa dhe në një moment, gjatë kohës që vetura ishte në lëvizje dikush ka shtënë me armë në drejtim të viktimës dhe shtëpisë së tij.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, të dyshuarit janë larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur, teksa fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur pasoja në njerëz.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë që dyshohet se i përket armës që u përdor në rast dhe e njëjta është sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar në stacion të Policisë dy dëshmitarë të rastit, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.