Mëngjesin e së dielës ka ndodhur një incident në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë, ku Policia ka hasur në telashe me një person të dyshuar që po shkaktonte probleme në një market. Në gjendje të dehur 30-vjeçari ishte kapur me një person dhe të njëjtin kishte tentuar që ta sulmojë fizikisht si dhe më pas kishte demoluar hapësirën e marketit.
Sjellje agresive i dyshuari kishte pasur edhe me zyrtarët policorë që shkuan të intervenojnë në rast, mirëpo pavarësisht kësaj ai është arritur që të arrestohet dhe i janë sekuestruar sëpata dhe një kaçavidë të cilët po i mbante për ta kanosur viktimën.
Me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti ishte dërguar në mbajtje për 48 orë për veprat penale “Kanosje” dhe “Pengim i personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit dhe në një banesë të cilën e kishte marrë në shfrytëzim në rrugën ku ndodhi incidenti.
Gjatë kontrollit zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me karikator dhe fishekë. Po ashtu janë gjetur mbetje të substancave të dyshuara narkotike, gjë që ngrit dyshimet se banesa është përdorur si strehë për konsumimin e drogës.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.