Lëvizja Vetëvendosje dhe flamuri i Kosovës kanë pasur një marrëdhënie të trazuar. Natyrisht, marrëdhënia aspak miqësore ka një fajtor. Nuk është flamuri, pasi i gjithë raporti problematik erdhi për shkak të refuzimit të VV-së për simbolet e Kosovës, e cila shënon sot 15-vjetorin e Pavarësisë dhe krijimit të simboleve të saj shtetërore.
Megjithatë, partia qeverisëse, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon te jëtë e rezervuar ndaj pranimit të flamurit të shtetit. Përtej protokolleve shtetërore, në figurat e pushtetit por edhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, flamuri i Kosovës ende nuk zë vend, as si ligjërim as si ekzpozim.
Flamuri i Kosovës nuk u pa as në protestën e organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, e që realisht më shumë ishte një organizim i Vetëvendosjes, pasi që ky institucion universitar drejtohet nga organizata Studim Kritik Veprim – një organizatë haptas e afërt me partinë në pushtet.
Në këtë protestë si kundërshtim i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk u pa asnjë flamur shtetëror, ndonëse kauza ishte krye-këput shtetërore.
Në protestën ku u panë edhe dhjetra figura të Lëvizjes Vetëvendosje, u marshua drejt qeverisë me qindra flamuj kombëtar, gjë e cila zgjoi disa reagime për mungesën e flamurit të Kosovës.
Në këtë dritë, mosprania e flamurit të Kosovës në manifestimet e Levizjes Vetëvendosje shpesh ëshët interpretuar si një përpjekje e kotë, pasi që flamuri shtetëror ka filluar të jetë në masë të madhe i pranuar për qytetarët.
Në këtë linjë mendimi është publicist, Halil Matoshi – si një nga figurat më fanatike pro simboleve shtetërore të Kosovës të cilët derivuan nga 17 shkurti 2008.
Matoshi i ka thënë Nacionales se injorimi i flamurit nga Vetëvendosje po vazhdon, sepse, sipas tij, VV-ja është “lëvizje anti-shtet”.
Matoshi beson se nësë nuk ekziston lojaliteti ndaj rendit kushtetues rrjedhimisht përkthehet me jobesnikri ndaj atdheut.
“….Sepse (VV-ja) është lëvizje pushtet-antishtet. Nëse nuk je lojal ndaj rendit kushtetues e simbolik, do me thënë nuk je besinik ndaj Atdheut e kësaj shtëpie”, – mendon Matoshi.
Por, sipas tij, flamuri i Kosovës do të jetoj pafundësisht, sepse qytetarët e duan atë.
“Flamuri i Kosovës megjithatë do të jetojë deri në fundin e Kohës, sepse e duan kosovarët! E dashurisë së vërtetë nuk mund t’ia ndalin orën e historisë ata që s’dijnë me dashtë”, – thotë Matoshi për Nacionale.
Kurse sipas sociologut, Shkodran Ramadani, nuk përbën lajm mosprezenca e flamurit të Kosovës në organizimet e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lajm do të ishte sikur të kishte flamuj të Kosovës. Madje, ky lajm do të ishte senzacional. Kjo për shkak të luftës speciale të Vetëvendosjes jo vetëm kundër simboleve të Kosovës, por edhe kundësër shtetësisë së saj për 15 vite”, – thotë Ramadani.
Ramadani mendon se brenda VV-së ekziston një ambient “agresiv dhe mohues” ndaj flamurit dhe simbolit të shtetit. Madje, ai shton se në këtë subjekt ka qenë i ndaluar prerazi përdorimi i flamurit.
“Në VV është krijuar një klimë agresive mohuese ndaj simboleve dhe shtetësisë. Përdorimi dhe valimi i flamurit të Kosovës në Vetëvendosje ka qenë rreptësisht e ndaluar një kohë. Kjo qasje mohuese dhe luftuese më pas është metastazuar në gjithë shoqërinë, duke i sulmuar të gjithë ata që kanë shfaqur afeksion emocional e janë ndjerë krenarë për flamurin, madje edhe në sukseset e Majlinda Kelmendit”, – thotë Ramadani Nacionale.
Ramadani beson se Vetëvendosje është intolerante ndaj simboleve të shtetit dhe, sipas tij, çfarëdo kompromisi i tyre në raport me këto simbole është bërë vetëm për pushtet e jo pse njëmend e kanë pranuar mirëfilli si simbol shtetëror e kombëtar.
“Për shembull, Albin Kurti, inxhinieri i kësaj lufte speciale mohuese, ende ka raport të paqartë me këto simbole. Prandaj, mosprania e flamujve në këto ngjarje nuk është aksident e as befasi, por manifestim konkret i orientimit politik e ideologjik të cilin Vetëvendosje e ka kultivuar në mënyrë agresive që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, – shprehet Ramadani, që sipas tij, flamuri i Shqipërisë mund të shënojë një simbol të përbashkët për shqiptarët në të gjithë Ballkanin, duke treguar një solidaritet mes shteteve shqiptare.
Megjithatë, kundërshtimi i VV-së dhe Kurtit ndaj flamurit dhe simboleve të Kosovës është argumentuar mbi premisën se këto simbole i janë mbivendosur shtetit arbitrarisht nga establishment ndërkombëtar.
Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka thënë se flamuri i Kosovës nuk është as demokratik as historik, pasi që në kohën e përzgjedhjes së tij ishin ndaluar të përdorën ngjyrat kuq dhe zi dhe se nuk ishte pyetur populli për këtë përzgjedhje.
Megjithatë, Kurti ka deklaruar se brenda institucioneve dhe në pozicionin e kryeministrit, flamuri i Kosovës do të gjej vend dhe do respektohet, por jo edhe në aktivitetet partiake.