Lëvizja Vetëvendosje këtë javë vazhdoi me serinë e video-mesazheve ku goditi pushtetet e kaluara të udhëhequra nga opozita e tanishme.Video-mesazhi i publikuar të martën kishte të bëjë me infrastrukturën rrugore dhe projektet e ngelura. Partia në pushtet ka treguar se në rrugën Kievë-Zahaq, të rrugës Prishtinë-Pejë, ishte planifikuar “plaçkitja e madhe e buxhetit, por u parandalua nga Qeveria Kurti”. I menjëhershëm qe reagimi nga Partia Demokratike e Kosovës e cila po atë ditë publikoi një video-mesazh në Facebook me titull “Çka ka Albini, kallëzon Martini”. Më të vonshme u treguan Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shpronësimi i tokave, u bë objekt i radhës i partisë në pushtet për t’i goditur pushtetet e kaluara të udhëhequra nga LDK, PDK, AAK, NISMA e AKR të cilën e titulluan “Çka ka, çka s’ka nëpër rrugë?!”,
Shpronësimi i tokave, sipas partisë në pushtet, nuk do të kushtojë 240 milionë euro, por 90 milionë euro.
VV-ja ka akuzuar qeveritë e kaluara për borxhin e borxheve të shpronësimeve, derisa “buxheti i gjetur që ka qenë i sigurt për kthimin e borxhit ka vetëm 2 milionë euro”.
Punët e mbrapshta dhe planet për zhvatje, sipas VV-së bllokuan Kosovën për vite.
”Me punë të mbrapshtës dhe planit të zhvatjes në bllokuar rrugët kryesore për vite, por qeverisja e re që ka zhbllokuar ato që kanë filluar të vendosin dhe ato projekte” thuhet ndër të tjera në përshkrimin e videos.
Sipas tyre janë vonuar investimet e tilla por nuk janë ndalur.
“Na kanë vonuar por nuk na kanë ndalur”, shkruhet në video.
Disa orë më vonë, PDK-ja publikoi një video që flet për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Sipas PDK-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e mbron ambasadorin Berishaj. Megjithatë sipas tyre, “përkundër përpjekjeve, e vërteta nuk do të mund të fshihet”.
“Historia e aferës milionëshe e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzat e ngritura ndaj tij, mbrojtja e pakuptueshme dhe e dyshimtë nga krerët institucional, lidhja me Kryeministrin Kurti dhe financimin e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në postimin e PDK-së.
“Çka ka Albini, kallëzon Martini”.
Kjo fjali sipas PDK-së pasqyron më së miri skandalin e madh financiar prej miliona eurosh në të cilin është përfshirë ambasadori Berishaj e që siç thotë PDK-ja mediat ndërkombëtare e lidhin me kryeministrin Kurti dhe me financimin e fushatës së LVV-së.
Nëntë muaj më parë mediat sllovene raportuan për tërheqjen e mbi 600 mijë eurove nga llogaria e kompanisë “MB Consulting”.
“Para që ai i kishte marrë nga kompania GEN-i me degë në Beograd, e cila ka tregtuar energji elektrike me Kosovën”, thuhet në videon e PDK-së.
“Përkundër fakteve të forta, ambasadori Berishaj nuk u shkarkua dhe nuk u soll para drejtësisë në Kosovë”, vijon më tutje videoja, teksa shtohet se ai u morr në mbrojtje nga kryeministri Kurti.
Në këtë video, PDK ka cituar një pjesë të deklaratës së dhënë nga kryeministri Kurti i cili ishte shprehur se “nuk ka kurrfarë korrupsioni”.
Ai kishte thënë se përkundrazi do të ketë kallëzim penal e do të ketë sqarim në gjykatë për shpifje të tilla.
“Profesor Martin Berishaj është ambasador i Kosovës në Kroaci. Është patrioti Malësisë dhe profesor i shkëlqyeshëm. Nuk ka gjë aty”, ishte shprehur Kurti.
Por sipas PDK-së, skandali nuk përfundon me kaq, duke thënë se mediat kanë zbuluar edhe transfere të shumta parash nga GEN-i, i Serbisë në xhirollogari të Berishajt në Kosovë, e që sipas raportimeve arrijnë shifrën prej 1milion e 531.480 eurosh.
Prej tyre vetë Berishaj i kishte tërhequr “cash” 923 mijë e 700 euro nga një bankë në Kosovë.
“Po ashtu në bazë të këtyre raportimeve, nga janari i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2022, nga xhirollogaritë e Berishajt në Mal të Zi në total janë tërhequr dy milionë e 787 mijë e 298 euro cash. Të gjitha këto tërheqje të miliona eurove ishin mbajtur fshehtë nga ai. Por, u zbuluan nga mediat”, thotë PDK.
“Zingjiri i këtij skandali, që bazën e ka në Serbi sipas raportimeve mediale ndërkombëtare, piramidën e personave të përfshirë e ngre deri te zyra e kryeministrit kurti dhe selia e LVV-së në Prishtinë. Përveç Kurtit edhe presidentja Osmani dhe ministrja Donika Gërvalla e morën në mbrojtje ambasadorin Berishaj”, thuhet më tutje në video teksa citohen deklaratat e tyre lidhur me këtë çështje.
PDK shkruan se pavarësisht përpjekjeve të krerëve të shtetit të Kosovës për ta marrë në mbrojtje Berishajn, dëshmitë e publikuara në media kanë vënë në lëvize organet e drejtësisë dhe paditë e para për të tashmë janë ngritur.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes Forumit të Rinisë publikoi një përmbledhje për qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti për këto dy vite.
Në video ata kanë renditur çmimet e produkteve bazë për vitin 2021 dhe çmimet për vitin 2023, ku thuhet se ka rritje çmimesh prej 46%.
Këtë video e kanë quajtur “Kurti po na kushton“.
Vetëvendosje ka publikuar edhe një video të radhës, por duket se këtë herë e ka me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në videon e radhës ka publikuar disa deklarata të zyrtarëve të LDK-së.
“Ata vazhdimisht deklarojnë se Qeveria e LV është kundër çdo mase që është në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve ndërkohë që votojnë kundër marrëveshjes ndërkombëtare për reformë në skemat sociale, nuk qëndrojnë as në sallë kur votohet për ligjin që cakton çmimet tavan të produkteve bazë, dhe të njëjtin ligj për ta bllokuar e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.”
E fundit, por jo më pak nga rëndësia, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të enjten mbrëma publikoi një video përmbajtje në Facebook, me titull “Historia e një familje të privilegjuar”. Target e kishin nepotizmin nga Qeveria Kurti.
Fjala është për familjarë të krerëve të shtetit, deputetëve, ministrave e deri te kryetarët e komunave nga radhët e Vetëvendosjes dhe listës Guxo.
Në videopërmbajtje, mes të tjerëve u përmendën edhe mbesa e Kurtit, tezakja e Osmanit, xhaxhai i Konjufcës, si dhe punësimet në KEK dhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.