Komuna e Podujevës kishte shpallur konkursin nr. 05/447 për pedagogë dhe psikologë në Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta, më 15 nëntor 2022. Kandidatët ishin ftuar për t’iu nënshtruar testit me shkrim, i cili do të mbahej me datën 23.01.2023, duke filluar nga ora 09:00, shkruan Demokracia.com.
Dy ditë më vonë, komisioni përzgjedhës i kishte njoftuar kandidatët që kishin arritur pikët maksimale se intervista më gojë do të mbahet 7 ditë më vonë, saktësisht më 30.01.2023.
Por, çudia e intervistimit me gojë është kohëzgjatja në vetëm 5 minuta, ku kandidatët duhet ta përmbledhin gjithë njohurinë për vetëm kaq pak minuta.
Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve Lokale “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Podujevës për metodën e vlerësimit të kandidatëve.
“E pash një njoftim nga Komuna e Podujevës rreth një konkursi për Pedagog dhe Psikolog. Interesant se kuptova ne intervistën me gojë qe po u mbajka me 30.01.2023, a do te vlerësohet “dija” a “dukja” ?”, ka shkruar Jashari në rrjetin social Facebook.
“Qysh more intervistë me gojë një kandidat i ka 5 minuta kohë ne dispozicion, prej kohës kur lajmërohet, hynë në sallë, prezantohet, përgjigjet ne pyetje, përshëndetet, del nga salla për me hy tjetri/a, fiks pas 5 minutave!!!!Çka mundet me vlerësua dikush për 5 minuta (Bruto), përveç dukjes asgjë tjetër. Konkursi po shkruan se duhet të vlerësohet dija jo dukja!!”, ka shkruar tutje ai.
Jashari ka kërkuar që konkurset të mos shpallen si formalitet.
“A jeni normal more, mos i maltretoni edhe këta pak të ri e të reja që kanë mbet ksajde, kallxoni se kandidatët e preferuar e kanë marr tikun( aminin) lartë te shefi edhe kjo veç formalitet është. Është e vërtet se fokusi i lajmeve është tek marrveshja finale dhe asociacioni, po na të vërbër sjemi ju shohim edhe këtu ne nivel lokal që po kujdeseni çdo ditë që të mos kemi arsye me nejt ksjade….Marre, gjynah”, ka shkruar tutje ai.