Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar Ismail Qemalin, liberalin e parë shqiptar, udhëheqësin e Rilindjes e themeluesin e shtetit shqiptar, në 104 vjetorin e vdekjes së tij. Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka shprehur mirënjohje për kontributin politik të Ismail Qemailit.
”Sot mbushen 104 vjet nga vdekja e atit themelues të shtetit shqiptar dhe udhëheqësit të Rilindjes Kombëtare, shqiptarit të madh Ismail Qemalit. Prandaj, përkulemi me nderim e mirënjohje të thellë ndaj tij për kontributin e pallogaritshëm që ka dhënë si udhëheqës i Rilindjes Kombëtare dhe si frymëzues i brezave të njëpasnjëshëm të veprimtarëve që kanë luftuar për lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar në çdo kohë e krahinë të trojeve tona autoktone. Ismail Qemali mund të konsiderohet jo vetëm si politikani i parë shqiptar që ka përqafuar dhe promovuar liberalizmin, por ka qenë edhe ndër të parët liberalë të shquar në Perandorinë Osmane, që kur themeloi gazetën e parë liberale, “Medjra-Efkiar”, të cilën e botonte në Plovdiv, jashtë kufijve të perandorisë, sepse sulltani e ndaloi botimin e saj në Stamboll për shkak të ideve përparimtare që parashtronte”, shkruan kreu i PDK-së.
Krasniqi shprehet i lumtur që PDK ka përbrendësuar vlerat dhe bindjet liberale, që Ismail Qemaili dhe rilindasit e tjerë kanë shpalosur e mbrojtur ndër vite.”Në respekt e nderim të veprës së Ismail Qemalit, por edhe të bindjeve dhe ideve liberale që ai dhe rilindas të tjerë të shquar kanë shpalosur e mbrojtur ndër vite, jam shumë i lumtur dhe krenar që këto vlera sot qëndrojnë si shtylla të vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës, duke qenë edhe anëtare e barabartë e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës”, shkruan Krasniqi.