Ishte 19 prilli i vitit 2022, e marte në mbrëmje, kur dy silueta burrash u afruan për tek hyrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ata kishin takim me ministren Donika Gërvalla.
Në hyrje polici zyrtar u kërkoi letërnjoftimet për të bërë regjistrimin në librin e evidencave ku mbahen hyrje-daljet nga objekti qeveritar. Njëri që fliste shqip tha se s’është e nevojshme të regjistrohen dhe desh të nisej, por polici insistoi që të ndiqej procedura. Ata u bindën dhe u nisën për të takuar ministren.
Të nesërmen në mëngjes libri i evidencave nuk gjendej askund, dikush – që i interesonte të fshihte emrat e vizitorëve në libër – e kishte zhdukur nga vendi i zakonshëm.
Albanian Post – 9 muaj pas këtij zhvillimi – ka kuptuar se njëri nga burrat ishte Martin Berishaj kurse tjetri një biznesmen nga Kroacia që po vinte më të për ta takuar Gërvallën.
Takimi duhej të ndodhte patjetër, por patjetër se nuk duhej të kuptohej që ka ndodhur.
Fillimisht, zyrtarët në ministri ishin alarmuar. E kishin për herë të parë që gjendeshin para një situate të tillë. Asnjëherë tjetër nuk kishte ndodhur që libri i evidencave të zhdukej.
Më vonë do të kuptohej se u tërhoq nga bashkëpunëtorët e afërt të Gërvallës në ministri, por para se ta dinin tensioni i momentit ishte i madh. Kjo kuptohet edhe nga e-mailat mes zyrtarëve të administratës brenda ministrisë.
Recepsionistja Flandra Buqaj me 20 prill në orën 9:47 i kishte dërguar një e-mail njoftues drejtorit të Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme Agron Malokut, por kishte bashkëngjitur edhe shefen e IT-së në ministri, Afërdita Arifajn.
“Të nderuar/a, ju njoftoj se libri i vizitorëve të viteve të fundit në recepsion mungon, kontrolluam gjithkah, por nuk është askund”, shkruante Buqaj, duke sqaruar se “nga sot po filloj me një libër të ri të vizitorëve”.
Vetëm pak orë më vonë, në 12:05, Maloku ishte përgjigjur po në e-mali. Kishte bashkangjitur edhe Zëvendës-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, Behar Isma-n.
Siç kuptohet nga teksti i e-malit, ai shkruhej pasi që ishte bërë një bisedë paraprake mes Malokut dhe Isma-s dhe ky i fundit i kishte treguar se kush e ka marrë librin.
“I nderuar Zëvendës-sekretar i Përgjithshëm zotëri Isma, e nderuar zonja Buqaj, pas njoftimit të zonjës Buqaj lidhur me mungesën e librit për regjistrimin e vizitoreve para se te hapim rast për këtë, në konsultim me ju dhe në prani të zonjës Flandra Buqaj Zyrtares/recepsionistes, u konstatua se ky libër është tërhequr nga zyrtarë të brendshëm për çfarë ishit në dijeni edhe ju”, tregon e-maili.
“Andaj kërkoj që zyrtarët të vendosur në recepcion të jenë të kujdesshëm si dhe shpresoj që rastet e tilla të mos përsëriten pa ndonjë njoftimin paraprak, sepse çdo gjë mund të verifikohet përmes kamerave”, përfundonte mesazhi elektronik i Malokut.
Pak më vonë, një e-mail shkruan edhe Afërdita Arifi, shefja e IT-së. Ajo shpjegon se nuk gjendet në punë, por numëron hapat që duhet të merren.
“I nderuar drejtor, edhe pse jam ne pushim vjetor po ju drejtohem me e-mail. Patjetër se duhet: të hapet rast ne polici; identifikimi i personit qe e ka marre librin; të ngritet komision disiplinor ndaj personit qe e ka marre librin pa njoftim të personit përgjegjës ose zyrës përgjegjëse”, dhe më pas shkruan që të bëhet “kujdes”, sepse “edhe nëse kthehet libri, mund të manipulohet me të dhënat dhe në të ardhmen të akuzohen me shpifje personat (te mundshëm) të targetuar”.
Arifi bën të qartë edhe një herë se diçka e tillë kurrë s’ka ndodhur më parë.
“…Ndërsa sa ai përket kujdesjes kjo dukuri në të kaluarën nuk ka ndodhë asnjëherë”.
E-mail-i i fundit për këtë çështje shkruhet sërish nga Maloku, i cili pjesë të mesazhit bën edhe persona të afërt të ministres Gërvalla, si shefi i kabinetit Sharr Jakupi.
“E nderuar zonja Arifi, masat disiplinore dhe çështjet të cilat janë cekur nga ana juaj, veprimet për këto duhet të ndërmerren nga ZSP (zëvendës-sekretari i përgjithshëm) më që është njoftuar për rastin”, shkruan Maloku duke iu referuar Behar Ismas.
Në fund shton se “kjo çështje nuk mund të kalojë në heshtje”.
Burime të Albanian Post brenda MPJD-së thonë se as pas kaq muajsh libri nuk është kthyer dhe çështja u provua të kalohej në heshtje, ndryshe nga sa kishte apeluar Maloku.
Policia nuk u lajmërua dhe nuk filloi një hetim siç parashihet me rregullat e brendshme të ministrisë.
Takimi mes Berishajt, Gërvallës dhe personit tjetër, biznesmenit nga Kroacia, nuk bënte të dokumentohej asnjëherë.
Sipas burimit të AP-së, “libri vazhdon të jetë tek personat e afërt të Gërvallës, në mos në zyrën e saj, nëse veç nuk e kanë asgjësuar deri më tani”.
I pyetur se si është e mundur që një takim që e dëshironin të fshehur realizohej brenda objektit të ministrisë, burimi thotë se “nuk i kanë problem pakujdesitë e tilla sepse besojnë që askush nuk guxon të flas”.
“Edhe librin e kanë marrë sepse nuk kanë besuar se dikush do ta alarmonte çështjen. Kanë menduar se edhe nëse kërkohet do të bëhet në formë gojore dhe jo përmes e-mailave e kështu s’do të mund të dokumentonte dikush diçka”.
Mediumi ka komunikuar edhe me policinë për të kuptuar nëse ndonjëherë janë kontaktuar për këtë çështje. Nga aty kanë sugjeruar të pyetet prokuroria. Deri në publikimin e artikullit nuk është pranuar një përgjigje nga prokuroria në Prishtinë.