Një gjykatës amerikan ka urdhëruar ish-presidentin amerikan, Donald Trump dhe një nga avokatët e tij që së bashku të paguajnë gati 1 milion dollarë gjobë për një proces gjyqësor “të pavlerë” kundër Hillary Clintonit dhe të tjerëve.
Padia akuzonte Clintonin dhe të tjerët se po përpiqeshin të manipulonin zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA duke e lidhur fushatën e tij me Rusinë, raportoi BBC-ja të premten.
“Kjo çështje nuk duhet të ishte ngritur kurrë,” shkruante në urdhrin e tij gjyqtari i qarkut amerikan Donald M Middlebrooks.
Në padinë e ish-presidentit, e ngritur marsin e kaluar, akuzohej Clintoni, Komiteti Kombëtar Demokratik dhe të tjerët për komplot për të “thurur një narrativë të rreme” gjatë zgjedhjeve të 2016-ës se fushata e tij po bashkëpunonte me Rusinë për të fituar garën.
Trumpi kishte kërkuar 70 milionë dollarë dëmshpërblim.
Padia u hodh poshtë në shtator dhe Trumpi u gjobit me mbi 65,000 dollarë tarifa dhe gjoba në nëntor pasi një i pandehur kërkoi sanksione.
Urdhri i së enjtes erdhi pasi një grup i të pandehurve, përfshirë Clintonin, paraqitën një kërkesë të re për sanksione.
Gjykatësi urdhëroi Trumpin, avokaten e tij, Alina Habba, dhe firmën e saj, Habba Madaio & Associates, të paguajnë bashkërisht 937,989.39 dollarë gjobë.