Qeveria e Kosovës ka deklaruar se përballja me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet atmosferike po vazhdon edhe të premten.
Përmes një komunikate për media, Qeveria ka bërë të ditur gjendjen në disa fshatra dhe qytete të Kosovës.
“Deri më tani situatë më e vështirë është vërejtur në: -fshatrat Verboc dhe Barilevë të Komunës së Prishtinës, në fshatrat Sekiraq, Sibofc dhe Reçicë të Podujevës, në komunën e Skenderajt, në Istog, ku ka pasur edhe raste të evakuimit, të cilët janë akomoduar në Qendrën e Komunale të Mjekësisë Familjare, në Klinë, ku po ashtu janë evakuuar mbi 40 familje, kurse në fshatin Shtaric, falë ndërhyrjes së policisë dhe autoriteteve është shmangur një situatë e cila rrezikonte jetën e dy qytetarëve, në lagje të ndryshme të Komunës Jugore të Mitrovicës janë vërshuar, në Komunën Veriore të Mitrovicës, ku probleme më të theksuara janë paraqitur në Lagjen e Boshnjakëve ku janë rrezikuar 7 shtëpi, në Komunën e Zveçanit, ku janë rrezikuar 40 shtëpi, në fshatrat Kutnje dhe Kernin i poshtëm të komunës së Leposaviqit, ku 4 familje janë evakuar dhe 20 shtëpi janë në rrezik, ndërsa në Zubin Potok në rrezik janë 30 shtëpi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.