Bekim Haxhiu, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, pas përfundimit të seancës ku nuk kaloi projektligji për tërheqjen e Trustit, tha se votat e sotme ishin një nga votat më turpëruese të Kuvendit të Kosovës dhe kërkesave së qytetarëve.
“Është një nga votat më turpëruese të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët votuan kundër kërkesës së qytetarëve, kundër një iniciative të nënshkruar nga 21 mijë 398 qytetarë, ku ata e refuzuan në mënyrë të pashpjegueshme. I pashpjegueshëm ishte edhe presioni mbi deputetë, për mos ta mbështetur këtë kërkesë të qytetarëve”, deklaroi Haxhiu për “Info Magazine” në Klan Kosova.
Por, ai tregoi se në sallën e Kuvendit kishte persona të paautorizuar, të cilët bënin presion mbi deputetët e LVV-së.
Në zonën e dedikuar për mysafirë në sallën e Kuvendit, kishte persona të paautorizuar që ne nuk i njihnim, por që bënin presion te deputetët e LVV për të mos votuar këtë projektligj. Për praninë e tyre duhet të përgjigjet kryetari dhe administrata e Kuvendit në ditët në vijim për të sqaruar se kush ishin këta persona në këtë zonë. Aty të si të ftuar ishin vetëm personat e iniciativës së Trustit, edhe ata persona tjerë që nuk i njoh. Ata numëronin deputetët dhe merreshin se kush dhe cili cka do të votojë, duke bërë presion nga ajo zonë”, tha Haxhiu.
Deputeti Haxhiu, njëkohësisht edhe bashkëiniciator i projektligjit për tërheqjen e Trustit, tha se do ta postojë më vonë edhe një fotografi të këtyre personave.
“Ata shihen edhe duke bërë me gisht dhe gjeste, duke numëruar deputetët dhe kjo është shkelje e vullnetit të deputetëve dhe pavarësisë së tyre për të ushtruar funksionin e deputetit”, deklaroi Haxhiu.