Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar sot konferenca përgatitore për gjykim në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Të katër ish-krerët e UÇK-së, janë paraqitur sot fizikisht në këtë seancë paragjyqësore.
Më herët, të njëjtit kryesisht janë paraqitur përmes lidhjeve direkte, duke mos qenë të pranishëm fizikisht.
Në këtë seancë pritet që të diskutohet në lidhje me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars dhe kohëzgjatjen e fjalës së tyre hyrëse.
Po ashtu pritet të diskutohet edhe për çështjet e tjera procedurale dhe substanciale.
Specialja ka njoftuar paraprakisht se ndër të tjerash do të kërkohen edhe sqarime nga palët lidhur me procedurën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve që do të paraqiten në gjykim.