Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një zjarr i madh ka kapluar një fabrikë të mobileve në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, duke shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se flakët kanë përfshirë gjithçka që ndodhej brenda objektit, duke lënë kështu të shkatërruara të gjitha makineritë prodhuese, materialet punuese e po ashtu edhe mobilet të cilat ishin të gatshme për shitje.
Sinjali mëson se dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë diku rreth 300 mijë euro, teksa ende nuk dihet çfarë shkaktoi zjarrin i cili bëri shkrumb e hi të gjitha.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, me ç’rast zjarrfikësit kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin dhe pas shumë përpjekjeve e kanë shuar atë në tërësi, duke ulur rrezikun që të përhapet edhe në objektet që ishin pranë.
Po ashtu njësitë policore kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Incident zjarri’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht zhvillimit të hetimeve.