Komuna e Lipjanit ka organizuar një pritje për fundvit me qytetarë, ku u shfaqen edhe punët e kryera përmes një video projektori.
Të pranishëm ishin qytetarë të shumtë, biznese e përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Nga aty, i pari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se deri në fund të këtij viti janë optimist se do të arrijnë që ta realizojnë 90 për qind të buxhetit.
“Është kënaqësi e veçantë që së bashku me ju sot të ndajmë një pjesë të angazhimeve tona të përbashkëta, sepse si zakonisht në fundvit nxjerrët një bilanc i angazhimeve të një viti që hise këtu është edhe e juve qytetarë të Lipjanit”, tha Ahmeti teksa falënderoi qytetarët për kontributin e tyre.
“Edhe ky vit është progresiv duke parë trendin e të hyrave komunale që tashmë është stabil dhe përsëri i tejkalojmë planifikimet me 30 për qind dhe po besoj se deri në fund të vitit që kemi edhe pak ditë do të arrijmë ta shpenzojmë buxhetin në rreth 90 për qind, që është një shkallë e kënaqshme e realizimit të buxhetit”, tha ai.