Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situata në vendet e përfshira në këtë proces, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, janë tema kryesore e takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, që mbahet të martën në Bruksel.
Në këtë takim, ministrat e bllokut kanë miratuar disa konkluza për përparimin e vendeve në procesin e zgjerimit.
Sipas tekstit ministrat kanë përshëndetur përparimin që ka bërë Kosova në procesin e reformave, në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar nga vendi që të vazhdojë përpjekjet për luftë kundër krimit të organizuar.
Kosovës i është shprehur, po ashtu, mirënjohje për mbështetjen e qëndrimeve të BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Në konkluza shprehet mbështetja edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe pritja që çështja të përmbyllet sa më shpejt, raporton REL.
Nga Kosova, sikur edhe nga Serbia kërkohet që t’i shtojnë përpjekjet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me, siç thuhet, “besim të mirë dhe frymë të kompromisit”, për të arritur një marrëveshje ligjërisht obliguese.
Kërkohet që të dyja palët, pa vonesa, t’i respektojnë në tërësi të gjitha obligimet nga dialogu dhe të përmbahen nga veprimet apo deklaratat që nxisin tensione.
Në takimin e së martës ministrat e BE-së kanë arritur pajtim për t’i dhënë Bosnje e Hercegovinës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Dhënia e statusit të kandidatit shoqërohet me kërkesat për Bosnje e Hercegovinën që të ndërmarrë hapa për forcimin e ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimit të migracionit dhe të drejtave themelore.
BE-ja në këtë takim ka shprehur zhgënjim me Serbinë për ecjen prapa që ka bërë në përshtatjen e qëndrimeve të saj me ato të BE-së, sa u përket çështjeve të politikës së jashtme dhe sigurisë.
“Këshilli i BE-së shpreh keqardhje të thellë për ecjen prapa të Serbisë në përshtatje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në veçanti kur është fjala për sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe veprimet e Serbisë në fushën e politikës së jashtme që shkojnë kundër qasjes së përbashkët të BE-së“, thuhet në konkluza.
Në to, po ashtu, shprehet “pritja e madhe” e BE-së që Serbia t’i përmbushë obligimet që ka marrë përsipër në kuadër të kornizës negociuese me BE-në dhe të forcojë përshtatjen e saj me politikën e jashtme të BE-së dhe atë të sigurisë.
Serbia është vendi i vetëm në Ballkan që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ministrat e BE-së kanë mirëpritur faktin që Qeveria e re e Serbisë e ka bërë integrimin në BE qëllim të sajin strategjik, por kanë kërkuar që kjo të ndiqet me veprime konkrete.
Me konkluzat që janë miratuar, mirëpritet edhe nisja e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë, si dhe mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Në përgjithësi, vendeve të rajonit u është kërkuar që të angazhohen edhe më shumë në bashkëpunimin rajonal, forcimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE.
Derisa Bosnje e Hercegovina pritet të marrë statusin e vendit kandidat, Kosova pritet të aplikojë këtë javë për anëtarësim në bllokun evropian. Nga aplikimi për anëtarësim deri te marrja e statusit të vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë.