Ministri i ri i Komuniteteve, Nenad Rashiq, ka thënë se Serbia nuk mund të dërgojë në Kosovë forca të sigurisë pa u pajtuar për këtë edhe KFOR-i.
E në këtë rast, ai thotë se KFOR-i as që është duke e menduar këtë opsion.
“Me sa më kujtohet, sipas Rezolutës 1244, Serbia në Kosovë mund të dërgojë 1000 forca të sigurisë, vetëm me miratim dhe koordinim me KFOR-in. Dhe në këtë rast, nuk jam i sigurt se KFOR-i po e mendon atë opsion”, tha Rashiqi për “Danas”.
Ai këto komente i bëri pas deklaratave të zyrtarëve serbë se Serbia po e konsideron dërgimin e 1000 trupave të sigurisë në Kosovë.
Rashiqi tha se është e rëndësishme që të ketë qetësi, në mënyrë që të mos shkohet deri te përleshjet.
Në pyetjen se cila është arsyeja e dërgimit të forcave policore në veri të Kosovës, ai thotë se me sa e di ai, trupat policore janë dërguar me kërkesë të shqiptarëve dhe boshnjakëve pasi, sipas fjalëve të tyre, po ndihen të pasigurt.
Ndër të tjera, Rashiqi njoftoi se në takimin e sotëm që do ta zhvillojë me kryeministrin Albin Kurti, do t’i kërkojë atij që zgjedhjet për kryetarë në komunat veriore të shtyhen.