Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një serb si i dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës në maj të vitit 1999.
I dyshuari sipas Policisë është arrestuar dje.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës kohore të viteve 1998/99 në Kosovë, ku përmes rrugëve hetimore- operative ka pranuar informacion për një të dyshuar potencial si pjesëmarrës në këto krime, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj 1999. Policia e Kosovës, me datën 01.12.2022, ka shoqëruar të dyshuarin mashkull kosovar serb, G. M. (1958) në Polici për intervistim dhe procedura të mëtejme. Në konsultim me prokurorin kompetent i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit të tij të siguruar sipas detyrës zyrtare, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.