Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Presidenca Çeke tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.
“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm para për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.
Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe. Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.
Hapat që duhet të ndiqen tash
Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian
Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet
Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave
Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave
Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave
Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian
Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe
Liberalizimi hyn në fuqi.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.